Ballina Bota Gjoba, burgim për ata që nuk vënë maskë në Los Anxhelos

Gjoba, burgim për ata që nuk vënë maskë në Los Anxhelos

 

Kryetari i Bashkisë së Los Anxhelosit, Eric Garcetti, njoftoi kohët e fundit se policia do të fillojë të arrestojë protestuesit kundër maskave, të cilët ngacmojnë të tjerët që dalin me maskë në publik.

Që nga muaji gusht, ata që nuk pranojnë të vënë maskë në Los Anxhelos rrezikojnë të ndëshkohen me gjobë deri në 2000 dollarë.

Por ka plot që vazhdojnë të kundërshtojnë të vënë maskë, megjithëse ka prova shkencore se maskat ndihmojnë për të ulur ritmet e infektimeve të reja.

Roman Drake është një prej tyre. Ai nuk vë maskë dhe beson se masat kundër koronavirusit janë vënë për të kontrolluar popullatën.

“Më duket se reagimi i disa njerëzve ka qenë një formë nënshtrimi, thjesht për të ndjekur shembullim në shoqëri duke bërë çfarë duan të tjerët. Unë nuk dua të ndjek atë shembull; nuk është sjellje amerikane. Nuk jam rritur ashtu,” thotë zoti Drake.

Policia e Los Anxhelosit është kritikuar në të kaluarën se ka qenë shumë e butë ndaj atyre që kundërshtojnë maskat. Por policët thonë se po përpiqen të mos e acarojnë situatën pa arsye.

Shumë nga ata që vënë maskë thonë se e shohin si mënyrë për të mbrojtur veten si dhe komunitetin.

“Në këtë mënyrë besoj se jam edhe vetë edhe të tjerët të sigurtë. Njoh miq e të afërm, të cilët kanë rezultuar pozitivë megjithëse nuk kishin simptoma të COVID-it. Thjesht dua të jetoj!”, thotë Maria, banore e Kalifornisë.

“Nëse ia do të mirën të tjerëve, duhet të vësh maskë, sepse japin rezultat. Vër maskën, që të hapim bizneset, por edhe për të mirë të të tjerëve,” thotë Juan, banor i Kalifornisë.

Komuna e Los Anxhelosit u bë e para që kaloi një milionë raste të konfirmuara, ndërkohë që regjistron vdekje që lidhen me COVID-in çdo 7 minuta.

Maskat janë më të rëndësishme se kurrë, thonë autoritetet.

“Tani është momenti për të shmangur sa më shumë kontaktet me të tjerët që nuk janë në rrethin e ngushtë. Kur shkoni në punë apo dilni për nevoja jetike, gjithmoni vini maskë dhe ruani distancën nga të tjerët,” thotë një zyrtare e shëndetësisë për Los Anxheloin.

Statistikat tregojnë se 75% e amerikanëve mbështesin maskat. Në shumë raste, njerëzit nuk u kushtojnë vëmendje atyre që nuk vënë maskë, por në disa raste thërrasin policinë:

“Kemi marrë pjesë në protesta në Beverli Hill çdo javë, pa vënë maska. Të shtunën e kaluar një grua thirri policinë që të na vinin gjobë, por policia nuk e bëri,” thotë zoti Drake.

Krytari i Bashkisë së Los Anxhelosit, Eric Garcetti po përpiqet ta zgjidhë problemin. Ai iu drejtua aktivistëve kundër maskave në një intervistë për LA Times, duke thënë “Mos na vini në provë sepse do të përfundoni në burg, apo përballë akuzash”.

Kryebashkiaku po ashtu u ka dhënë urdhra policëve të arrestojnë ata që marrin pjesë në mbrëmje të mëdha, që janë të ndaluara në Los Anxhelos.