NJË VRIMË NË SHPIRT
Më janë skuqur sytë , dy gaca n ‘fikje
Gjuhën e kam kafshuar shumë herë
(deri në gjakosje)
Për durimin e tepruar të përtypjes së ashtit
Buzët plasnin nga temperaturë fjalësh
Rrugëtimeve të gardhuara në mendimet e pritshme
Mashtrimeve shumëngjyrëshe dalë boje
Për t’i bërë mirë zemrës, hoveve rënkuese
Duke dihatë malli lodhjeve ngacmuese
Nuk besoj se kam kohë tepër, tepër ishte
Të qëndroj përballjeve të nxira
Lazdrimeve të boshatisura hamshorqe
Vrapimeve të kohëve mbushë me re të zeza
Një vrimë në shpirt kullon dhimbje
Një kokë me plagë plagosur në token e vet
Në kërkim të kufijve të gjallë varrosur
Me shpresa të ringjalljes pas vuajtjes
Si Jezu Krishti i gozhduar n ‘damarë
Falni dashuri o Zot, më mirë se goditje
Nuk dëshiroj t’ia ngul askujt sytë n’ plagë
Përmes lotëve
Një vrimë po kullon mureve të shpirtit
Gjithmonë lëngim deri në shërim…
Gjakovë, 16 janar 2021
MEDITIM DIMEROR
Paska ikur nata në heshtje
Si çdo natë dimri e pabesë
Hutuar jam, duke mashtruar vetën
Kotësive që nuk mund të zmbrapsen
Thumbimeve, fërkimeve të marra
Halucinacione të sëmura me viruse të kohës
Pas lodhjes së umit në tokën e zezë
Si në ëndërr, por i zgjuar, ndërrova vend
Dimrit e parafytyroj verën me vapë
Verës dridhem mërdhimjeve dimërore
Përfytyroj bjeshkët, lartësitë e thepisura
Ato pika të larta praruar në bukuri
Shikoj çuditërisht një pishë që bën jetë
Në një rrasë guri pa asnjë lopatë dheu
Me trupin e njomë, shtatin e drejtë
E gjelbëruar dhe krenare si shqipet përreth
Sa i dëshiroj ato lartësi që puthin shkrumbin tim
Dëshiroj pafundësisht atë bukuri
Të isha shkëmb bjeshke
Atje ku hëna ledhaton e zbehur ngurtësinë
Dielli me buzëqeshje shkrin…
TEJA GRIMCON PRAGUN E KUJTESËS
Mendimet të fshehura skutave të zemrës
Ngacmuan shpirtin e fjetur në damarë
Ia mbatha rrugëve
U bëra udhëtar pas erës së lotëve të saj
Më rrëmbeu dëshira e kallur rrugës së gjatë
Deri te pragu i ndarjes ku ndiheshin ofshamë
Dy zemra ndaheshin me vaj atëbotë
Me sy të mbyllur, qerpikë të varur
Duart nuk shkëputeshin nga shpirti i mekur
“Një ditë e fat të mbarë” ,shkreptimë buzëve
Nuk di nga erdhi ai zë…
Me shpresë takimi te “Grandi” e bëmë me fjalë
Tani shpirti rrokotelet i dërmuar,
Dëshirat kallën në flakë
Kujtimeve të një zjarri që nuk fiket kurrë…
Jeta me dashuri nuk ngopet
Etje e përjetshme mbetet dritave të ballit
I fshehur në pragun e ndarjes ,pellg malli
Grimcon atë dru, bën zhurmë natën ,ditën
Grimcon e grimcon, krimb i tejes
Hesht e përgjon zërin, hapat e saj
Hapet dera ngadalë, gjurmon ,hesht
Ajo…
Shikon me sy të skuqur, mbushur mall
Nuk e trazoj ,e lë në qetësinë e harresës
(Nëse ajo e ka mbuluar)
Se do uji nën urë ka kaluar
Ika ngadalë, ngadalë, pa u hetuar
Duhmë lotësh ruante ai prag kujtimi…
Nga dritare befas një zë piskë dëgjova
“Ndal erë mali, ndal! Lermë të të shoh me sy
Malli më ka verbuar që sa vite pa të parë
Digjem e tretem n ‘kujtime
Ndal të ndajmë këtë strajcë me hi, zharavë
Nga dy zemra le të bëhemi një
Të shpërndajmë pjellurinave kudo
Vetëm dashuri botën le ta përfshijë
Dy flakë ndizen gjithmonë në qiell
Si dy yje ,dashuri e gjithësisë...
NËSE DASHURIA ËSHTË BURG
Nëse dashuria është burg
Do dëshiroja dënimin e përjetshëm
Përjetësia është liria e shpirtit n ‘kërkim
Mbështeteni zemrën në murin e vetmisë
Dëgjoni trokitjet në portat e njerëzisë
Ushtimën përmes zgavrave të qara
Si futet brenda avulli i dëshirave të kallta
Flini ngaherë në shtratin me gjemba
Në kullën e këtij ngujimi mistik…
Pyetni Dante Aligerin për rrathët e ferrit
Për Beatriçen e përsosur
Pyetni Vërnerin për vuajtjen e ëmbël
Vuajtja është stoli e jetës
Tagër i shpirtit në amshim….
Vdekatarëve nuk u kërkohet gjykimi…
Gjakove,18.janar,2021