Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi të enjten ligjin për regjistrimin e popullsisë. 62 deputetë, përfshirë edhe ata të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës në opozitë votuan pro ligjit. VMRO-DPMNE-ja e opozitës maqedonase nuk ishte e pranishme në sallë gjatë votimit.
Censusi duhet të mbahet nga 1 deri më 21 prill të këtij viti, pasi vendi nuk ka bërë regjistrimin që nga viti 2002. Ky proces më shumë shikohet si politik se sa statistikor nga faktorët politikë, sidomos për shkak të numrit të shqiptarëve në këtë vend.
VMRO-ja ka bërë të ditur se nuk do ta pranojë rezultatin që, sipas saj, është përcaktuar që më parë nga Lidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim në pushtet. Opozita maqedonase ka paralajmëruar se do të mbledhë nënshkrime të qytetarëve për shfuqizmin e ligjit.
Aleanca me Alternativën kishin vërejtje ndaj ligjit për shkak të lënies jashtë regjistrimit, sipas tyre, të një numri të madh të mërgimtarëve shqiptarë – por ato e votuan ligjin.
Ndërkohë, Kryeministri maqedonas Zoran Zaev është shprehur se të drejtat qytetare të pjesëtarëve të pakicave nuk mund të hiqen pa marrë parasysh numrin e tyre në census dhe se ato (të drejtat) vetëm mund të avancohen dhe assesi të mohohen.
Shqiptarët, sipas censusit të vitit 2002, përbëjnë pak mbi 25 përqind të popullsisë, por ata besojnë se janë mbi 30 përqind. Mungesa kaq e gjatë e realizimit të një operacioni të këtillë statistikor ka hapur mjaft debate, teksa faktorë politik maqedonas me qëndrime djathtise i mëshojnë idesë se shqiptarët nuk përbëjnë as 20 përqind të popullatës në Maqedoninë e Veriut.
Shkalla prej 20 përqind, megjithatë është një faktor kushtetues për më tepër të drejta të komuniteteve etnike jo-maqedonase, sepse në këtë mënyrë atyre u mundësohet të përdorin gjuhën amtare dhe simbolet kombëtare në institucionet vendore.