Ballina Bota Shtetet evropiane i bëjnë thirrje Iranit të respektojë marrëveshjen bërthamore

Shtetet evropiane i bëjnë thirrje Iranit të respektojë marrëveshjen bërthamore

 

Fuqitë evropiane kanë paralajmëruar Iranin kundër nisjes së punës për prodhimin e uraniumit me bazë metali, duke thënë se kjo gjë është në kundërshtim me marrëveshjen bërthamore të arritur më 2015.

“Ne i bëjmë thirrje Iranit që ta ndërpresë këtë aktivitet dhe t’i rikthehet respektimit të plotë të zotimeve nën marrëveshjen e vitit 2015, nëse vërtetë dëshiron që ta shpëtojë këtë marrëveshje”, thanë në një deklaratë të përbashkët Franca, Britania dhe Gjermania.

Në deklaratë të tri shteteve evropiane thuhet se Irani nuk ka dhënë prova se mund ta përdor për çështje civile këtë lloj të uraniumit.

“Prodhimi i uraniumit të metalit ka implikime serioze ushtarake”, thuhet në deklaratë, ku theksohet se sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, Irani është zotuar se nuk do të prodhojë uranium të metaltë dhe se nuk do të bëjë kërkime që të zhvillojë metalurgjinë e uraniumit për 15 vjet.

Ndërkaq, Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, tha më 15 janar se Irani e ka njoftuar se ka nisur të instalojë pajisje për të prodhuar uranium me bazë metali. Irani ka thënë se dëshiron të bëj kërkime mbi prodhimin e uraniumit me bazë metali me “qëllim që të përmirësojë një lëndë djegëse”.

Teherani ka nisur që të shkelë pikat e marrëveshjes bërthamore, të arritur me fuqitë botërore, pasi presidenti amerikan, Donald Trump më 2018 tërhoqi vendin e tij nga kjo marrëveshje dhe rivendosi sanksione ekonomike ndaj Teheranit.

Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, që ka qenë nënpresident në kohën kur është arritur marrëveshja bërthamore, ka shprehur qëndrimin e tij se do ta rikthejë SHBA-në në këtë pakt, nëse Teherani e respekton marrëveshjen.

Nënshkrues të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me Iranin janë Franca, Gjermania, Britania, Kina dhe Rusia.