Ballina Bota Lockdwn, Megalockdown, ZeroCovidShutdown? – Në Gjermani nervat janë të tendosuara

Lockdwn, Megalockdown, ZeroCovidShutdown? – Në Gjermani nervat janë të tendosuara

 

Shifrat e infektimeve nuk duan të ulen, shifrat e vdekjeve po rriten. Kancelarja Merkel kërkon lockdown më të ashpër, të tjerët janë kundër. Toni po ashpërsohet në Gjermani.

Të nervozuar, pa zgjidhje, të dëshpëruar, me shpresë, të dorëzuar: Rrallë ka qenë kaq kontradiktore dhe kaq negative në masë të madhe gjendja në Gjermani si në muajin e 11-të të pandemisë. Të martën (19.01) kancelarja gjermane kërkon të zhvillojë një videokonferencë me kryeministrat e landeve për të vendosur ndoshta ashpërsime të reja në lockdownin aktualin, ose të kundërtën. Sepse njoftimi, se Merkel i sheh si të nevojshme 8-10 javë të tjera të ashpra ka sjellë një debat të fortë.

Ende nuk dihet, nëse pas mbylljes së pjesshme në nëntor, ashpërsimit të saj në dhjetor dhe zgjatjes në janar, në shkurt do të vijë mbyllja e plotë. Presidenti i Institutit Robert Koch, (RKI), Lothar Wieler, ka për këtë një qëndrim të qartë: “Këto masa, që po marrim tani, për mua ato nuk janë lockdown i plotë. Ka ende shumë përjashtime dhe ato nuk zbatohen me konsekuencë.”

Berlin

Çfarë vlen më shumë: Mbrojtja nga infeksioni apo ekonomia?

Sipas mendimit të Wieler shumë njerëz në rrjetet sociale nën hashtaget si #MegaLockdown dhe #ZeroCovidShutdown debatojnë se çfarë nuk po shkon mirë dhe çfarë duhet të ndodhë – drejtimi i përbashkët: Nëse krahas shkollave dhe kopshteve, mbyllen edhe sipërmarrjet, zyrat dhe transporti publik, atëherë të gjithë do të qëndronin në shtëpi, do të hiqnin dorë nga kontaktet dhe kështu do t’i hiqnin bazën jetësore virusit.

Por sa realist është një skenar i tillë dhe çfarë sakrificash kërkon ai? Fakt është se masat e deritanishme nuk e kanë ulur si duhet kurbën e infektimeve, shifrat janë larg kufirit të synuar 50 infektime të reja ndër 100.000 banorë në shtatë ditë. Zyra Federale e Statistikave ka bërë të ditur, se në fund të vitit të kaluar kanë ndërruar jetë më shumë vetë se në mesataren e viteve të kaluara.

Drita në fund të tunelit ende larg

Vaksinimi ka filluar, por ka pak vaksina që të arrihej tani një luftim i suksesshmëm i pandemisë. Në një kohë që furnizuesi Pfizer ka bërë të ditur, se për shkak të rikonstruksionit të fabrikës së tij në Puurs, Belgjikë, nuk mund të përmbushë sasinë e premtuar të vaksinave për 3-4 javët e ardhshme.

Lothar Wieler

Kësaj i shtohet vështirësia se në Britainë e Madhe dhe Irlandë, por edhe në Afrikën Jugore është vërtetuar një mutacion i ri mjaft infektues i virusit. Kjo i bën politikanët nervozë. Si mund të pengohet përhapja e tij? “Ekziston mundësia që gjendja të përkeqësohet”, thotë kreu i RKI, Lothar Wieler.

Tani të gjithë i kanë sytë tek ekonomia: Në mbylljen e parë në pranevrë 2020 duhet të mbyllnin dyert shumë sipërmarrje. Pasoja – një rënie masive e koniunkturës, që të kujton pasojat e krizës financiare 2008/2009. Kjo nuk duhej të ndodhte më –  tani firmat punojnë, makineritë prodhohen. Në këtë formë lockdownin mund ta durojmë gjatë, tha ministri federal i Financave, Olaf Scholz

Homeoffice

Por ajo që debatohet fort është, se mund të punohej më shumë në shtëpi, për punët para tavolinës së shkrimit. Gjysma e vendeve të punës në Gjermani janë punë zyre. Një sondazh i Fondacionit i afërt më sindikatat, Hans-Böckler Stiftung ka arritur në përfundimin, se në mbylljen e parë 27% e punonjësve kanë punuar në Homeoffice, në nëntor vetëm 14%.

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Bonnit, Hans-Martin von Gaudecker ka llogaritur se puna nga shtëpia ka një influencë të madhe në zhvillimin e pandemisë. Nëse që nga fillimi i tetorit do të kishte punuar 1% e punëmarrësve më shumë në Homeoffice, atëherë Gjermania në krishtlindje do të kishte 7% më pak infektime. A mund të jetë ky shpëtimi? Me një apel të pazakontë presidenti gjerman, Steinmeier u shpreh të premten bashkë me presidentin e Organizatës së Punëdhënësve Gjermanë dhe kreun e Organizatës së Sindikatave për më shumë punë nga shtëpia. „Çdo lëvizje me metro apo autobus që mund të mënjanohet ndihmon”, tha Steinmeier.

Presidenti i Punëdhënësve Gjermanë, Rainer Dulger e formuloi ndryshe. “E dimë, se homeoffice për shumë sipërmarrje paraqet një vështirësi financiare, organizative dhe problematike në sigurinë e të dhënave”, tha Dulger, që pranoi se puna nga shtëpia është një përjashtim që e kërkon pandemia aktuale.

Edhe shoqatat e sindikatave shohin anë negative të punës nga shtëpia. Kreu i DGB-së, Reiner Hoffmann, thotë se për shumë njerëz puna nga shtëpia është problematike. Vërtet që krahas shumë njerëzve që punojnë me dëshirë nga shtëpia, ka edhe nga ata që pas muajsh në homeoffice duan sa më shpejt të jetë e mundur të kthehen në zyra. Sidomos ata që jetojnë vetëm, nuk e durojnë dot më vetminë. Të tjerë janë të dëshpëruar, që shkollat e kopshtet janë mbyllur dhe nuk mund të punojnë të pashqetësuar në shtëpi. 38% e atyre punëmarrësve me fëmijë, sipas një sondazhi të Spiegel-it, e refuzojnë punën nga shtëpia.

E martë ora 14:00

Se cilat masa do të merren të martën do të kuptohet në ditët e ardhshme. Një detyrim për homeoffice sipas zëdhënësit të qeverisë, Steffen Seibert nuk pritet të ketë, por me gjasa punëdhënësit duhet të argumentojnë më mirë, pse nuk e lejojnë homeoffice.

“Për ndryshimin nuk kemi vendosur akoma, sepse kemi shumë shembuj të mirë, që firmat, sipërmarrjet dhe zyrat e ofrojnë punën nga shtëpia në masë të gjerë”, ka u shpreh kancelarja Merkel pas konferencës së fundit me kryeministrat e landeve. Theksi ishte tek “akoma”.