Ballina Rajoni RMV: Me Bullgarinë duhet fqinjësi e mirë

RMV: Me Bullgarinë duhet fqinjësi e mirë

 

“Nuk duhet të dalim nga këto korniza”

Sipas ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, problemi me Bullgarinë mbetet ai i cili është i definuar në marrëveshjen për fqinjësi të mirë.

Çdo tërheqje nga marrëveshja sipas tij e bën problemin më konfuz, të pakuptimtë dhe prej këtu është edhe konstatimi i Kryeministrit Zoran Zaev i cili më herët njoftoi se duhet ta zgjedhim problemin me Bullgarinë, por se cili është, ende nuk e dimë.

“Për mendimin tim, problemi qëndron i definuar në marrëveshjen për fqinjësi të mirë. Dalja nga kjo marrëveshje e bën problemin të paqartë, konfuz, këtu del edhe konstatimi i Kryeministrit për hutinë, sepse dilet nga kornizat e nënshkruara. Vetëm korniza e marrëveshjes e qartëson çështjen dhe vlerësoj se zgjidhja e vetme, formula e vetme është t’i kthehemi thelbit të marrëveshjes, por të gjejmë mekanizma se si t’i krijojmë rezultatet më shpejtë dhe në mënyrë më dinamike”.

Osmani thotë se Bullgaria, disa çështje të Marrëveshjes së Prespës i pranon e disa jo. Marrëveshjet duhen respektuar ashtu si janë, thotë Osmani, që është obligim edhe për ne sa i përket marrëveshjes për fqinjësi të mirë. Problemi qëndron te emocionet, shton Osmani, çështja me Bullgarinë duhet zgjidhur në mënyrë racionale.

“Të gjithë duan që kjo çështje të zgjidhet me parashikime, kur nuk parashikohen gjërat, secili del me axhendë vetiake, edhe ambienti parazgjedhor e përkeqëson gjendjen. Prandaj vlerësoj se duhet t’i kthehemi marrëveshjes, ta parashikojmë procesin e implementimit dhe në këtë mënyrë do të pastrohen dilemat sa i përket asaj se kush çfarë pret. Qëllimi i komisionit është t’i zgjidhë çështjet të cilat japin përshtypje të armiqësisë ndaj fqinjit, vetëm në këtë mënyrë kjo çështje nuk do të trajtohet me emocione, sepse kur trajtohet një çështje në bazë të emocioneve, humb racionaliteti”.

Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani thotë se pikëpamja ndaj fqinjëve tani duhet ndryshuar, pasi të gjitha shtetet e rajonit kemi një rrugë, atë euroatlantike dhe përshtypjet se Maqedonia e Veriut ka histori armiqësore me Bullgarinë duhet tejkaluar për arsye të interesave shtetërore.

Klan Macedonia