Ballina Bota Tension në Kapitol, protestues pro-Trump hyjnë në ndërtesën e Kongresit

Tension në Kapitol, protestues pro-Trump hyjnë në ndërtesën e Kongresit

 

Ndërtesa e Kongresit amerikan u vu nën izolim për shkak se një numër protestuesish që mbështesin presidentin Donald Trump hynë në kompleksin e Kapitolit, ku ligjvënësit janë mbledhur në seancë për çertifikimin e votës elektorale të zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Gjendja në Kapitol dhe rreth tij është ende e tensionuar, ndërkohë që protestuesit u përplasën me policinë që ruajnë ndërtesën.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, disa njerëz goditnin me grushta dyert e sallës kryesore ku zhvillohen senacat e Kongresit në përpjekje për të hyrë brenda.

Ligjvënësit ndërprenë seancat që hapën pasdite për çertifikimin e votave elektorale dhe që po zgjaten për shkak të kundërshtimeve të disa ligjvënësve republikanë.

Njoftohet se protestuesit janë përhapur kudo në ndërtesën e Kapitolit. Policia po i shoqëron anëtarët e Kongresit jashtë ndërtesës për arsye sigurie.

Njoftohet gjithashtu se Nënpresidenti Mike Pence është shoqëruar për në një vend të sigurtë brenda Kapitolit.

Policia e Kapitolit u tha ligjvënësve në Dhomën e Përfaqësuesve të merrnin maskat e gazit që gjendeshin poshtë karrikeve të tyre dhe të përgatiteshin për t’i vendosur ato.

Policia në derën e përparme të sallës kryesore të seancave rrinte në gatishmëri me armë në dorë ndërkohë që disa persona përpiqeshin të hynin brenda.

Oficerët e policisë urdhëruan njerëzit në sallë të shtriheshin në dysheme për sigurinë e tyre.

Skenat kaotike erdhën pasi Presidenti Trump iu drejtua mijëra mbështetësve pranë Shtëpisë së Bardhë, duke përsëritur pretendimet e tij të pabazuara se zgjedhjet u vodhën me manipulime në shkallë të gjerë.

Zyrtarët zgjedhorë të të dyja partive dhe vëzhguesit e pavarur kanë thënë se nuk ka patur mashtrime për t’u shënuar në zgjedhjet e 3 nëntorit, të cilat zoti Biden i fitoi me më shumë se 7 milion vota popullore.

Sipas disa njoftimeve, brenda Kapitolit ka patur edhe të shtëna me armë.

Presidenti Trump, në një koment në Twitter, u bëri thirrje protestuesve të ruajnë qetësinë.

Më parë, gjatë një tubimi, ai u bëri thirrje atyre të marshonin drejt Kapitolit.

Senatorët republikanë Tom Cotton dhe Ron Johnson, mbështetës të Presidentit Trump, e quajtën dhunën në Kapitol të papranueshme dhe u bënë thirrje protestuesve të shpërndahen.

Kryetarja e Bashkisë së Uashingtonit ka shpallur gjendjen e ndalim-qarkullimit duke filluar nga ora 18:00 e së mërkurës deri në orën 6 të mëngjesit.

Më herët të mërkurën, mijëra mbështetës të Presidentit Trump, duke përfshirë disa anëtarë të grupeve të dhunshme të ekstremit të djathtë, organizuan në kryeqytet demonstrata, ndërsa mbështesnin pretendimin e pabazë të presidentit se zgjedhjet u ishin vjedhur me anë të një komploti të sofistikuar.

Shumë prej tyre mbanin kapele dhe flamuj me parrullën e zotit Trump “Ta bëjmë Amerikës përsëri të Madhe”.

Presidenti foli para mijëra mbështetësve të mbledhur pranë Shtëpisë së Bardhë në lëndinën e quajtur Elipsi.

“Ne nuk do të dorëzohemi kurrë”. “Ne kurrë nuk do të pranojmë. Kjo nuk mund të ndodhë. Nuk mund të pranosh humbjen kur është fjala për vjedhje,” tha ai.

Duke iu referuar nënpresidentit Mike Pence që kryeson seancën në Kongres, Presidenti Trump tha:

“Shpresoj që Mike të bëjë gjënë e duhur. Kështu shpresoj. Kështu shpresoj, sepse nëse Mike Pence bën gjënë e duhur, ne do të fitojmë zgjedhjet. Kjo është gjithçka që ai duhet të bëjë… Ne duhet të mbrojmë vendin tonë, të mbështesim vendin tonë, të mbështesim kushtetutën tonë dhe ta mbrojmë kushtetutën tonë. Shtetet duan të përsëritet votimi, shtetet u vodhën. Iu dha informacion fals. Ata votuan bazuar mbi këtë dhe tani duan të përsëritet çertifikimi”.

Një nga djemtë e presidentit, Donald Trump Jr., dhe avokati i tij personal, Rudy Giuliani, gjithashtu folën në tubim.

Një natë më parë disa protestues u përplasën me policinë. Policia arrestoi këtë javë drejtuesin e organizatës Djemtë Krenarë, një grup që ka mbështetur presidentin Trump. Arrestimi u bë nën akuzat për shkatërrim pasurie në lidhje me një protestë të mëparshme dhe për posedim municioni.