Ballina Bota Mbretëria e Bashkuar nis përdorimin e vaksinës Oxford/AstraZeneca

Mbretëria e Bashkuar nis përdorimin e vaksinës Oxford/AstraZeneca

 

Në Mbretërinë e Bashkuar nisi të hënën imunizimi kundër koronavirusit me vaksinën Oxford/AstraZeneca.

Brian Pinker, 82 vjeç, u bë personi i parë që mori këtë vaksinë në Spitalin Universitar të Oksfordit.

Sekretari britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock, e përshkroi vaksinën si “një moment shumë të rëndësishëm” në luftën e Mbretërisë së Bashkuar kundër koronavirusit.

Mbretëria e Bashkuar është një nga vendet më të prekura në Evropë, me mbi 2.6 milionë njerëz të infektuar me koronavirus dhe mbi 75,000 viktima.

Rregullatorët shëndetësorë britanikë e kanë miratuar vaksinën Oxford/AstraZeneca më 30 dhjetor.

Deri më tash, autoritetet kanë porositur 100 milionë doza nga prodhuesi AstraZeneca – të mjaftueshme për vaksinimin e 50 milionë njerëzve.

Në Mbretërinë e Bashkuar, qysh më 8 dhjetor, është në përdorim edhe vaksina tjetër kundër koronavirusit, e njohur si Pfizer/BioNTech.

Kjo vaksinë jepet tashmë edhe në vendet e Bashkimit Evropian, në SHBA, Kanada dhe disa shtete të tjera.

Vaksina Oxford/AstraZeneca pritet të çojë në rritje të konsiderueshme të vaksinimit, pasi është e lirë dhe prodhohet lehtë në masë.

Ajo mund të ruhet në frigorifer standard, ndryshe nga Pfizer/BioNTech që ka nevojë për ruajtje në temperaturë ultra të ftohtë: -70 gradë Celsius.