Ballina Bota Stop Erasmusit, Londra “thyen” ëndrrën e studentëve europianë

Stop Erasmusit, Londra “thyen” ëndrrën e studentëve europianë

 

Një nga surprizat më të hidhura të marrëveshjes BE-Britani e Madhe, që i hap rrugën Brexit, daljes së Londrës zyrtare nga Bashkimi Europian, është pa dyshim fundi i projektit Erasmus, i zyrtarizuar nga kryeministri Boris Johnsson.

Bëhet fjalë për programin që ka mundësuar ndër vite periudha të caktuara studimi për dhjetëra mijëra studentë europianë që dëshironin një eksperiencë britanike dhe përvetësimin e gjuhës angleze, por edhe anasjelltas, të mijëra britanikëve që kërkonin të jetonin një periudhë larg ishullit, në një klimë (dhe kuzhinë) më të mirë, kryesisht në Francë, Itali dhe Spanjë.

Por jo të gjithë britanikët do të kenë të njëjtin fat. Qeveria irlandeze, vend i BE-së,  ka deklaruar se studentët e Irlandës së Veriut, pjesë e Britanisë së Madhe, do të vijojnë me programin Erasmus, me fonde të garantuara nga vetë Dublini, sepse “është rëndësishme që ishulli të mbetet i bashkuar nga kjo pikëpamje”.

Qeveria angleze deklaroi zëvendësimin e programit të shkëmbimit europian me një tjetër, të quajtur “Alan Turing”, që do të mundësojë shkëmbime me vende nga e gjithë bota, por jo atë europianë. Sipas Londrës, gjatë viteve numri i studentëve nga BE që vinin në Britaninë e Madhe ishte dyfishi i atyre britanikë në gjithë vendet e Bashkimit Europian, duke vënë në vështirësi gjetjen e strehimit si dhe kostot për periudhën e studimit.