Autoritetet izraelite njoftuan sot se do të ndalonin të gjithë shtetasit e huaj të hynin në vend për të parandaluar përhapjen e një lloji të ri të koronavirusit që konsiderohet shumë ngjitës.
Vetëm shtetasit izraelitë dhe të huajt me një status të veçantë siç janë diplomatët do të jenë në gjendje të hyjnë në vend, por ata gjithashtu do të duhet të shkojnë në vetë-izolim kur të vijnë nga jashtë. Nëse vijnë nga Britania e Madhe, Afrika e Jugut ose Danimarka, ata do të duhet të futen në karantinë në hotele që janë konvertuar posaçërisht për atë qëllim.
Masa e detyrueshme e karantinës për njerëzit që hyjnë në Izrael do të hyjë në fuqi të mërkurën në mesditë sipas kohës Grinuiç dhe për ata që do të duhet të qëndrojnë në hotele të përcaktuara posaçërisht ajo do të zgjasë nga 10 deri në 14 ditë.
Rregullat e reja janë aktualisht të vlefshme për dhjetë ditë me mundësinë e zgjatjes, transmeton agjencia e lajmeve kroate Hina.