Ballina Aktualitet Varhelyi: Po punojmë që vaksinat të jenë të disponueshme për Ballkanin Perëndimor

Varhelyi: Po punojmë që vaksinat të jenë të disponueshme për Ballkanin Perëndimor

 

Komisioneri evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, konfirmoi se Bashkimi Evropian po punon që vaksinat kundër sëmundjes COVID-19 të jenë të disponueshme edhe për Ballkanin Perëndimor, sapo të fillojë shpërndarja në territorin e BE-së.

“Po ndajmë fonde për aranzhimet mbështetëse dhe koordinuese. Në pandemi qëndrojmë pranë Ballkanit Perëndimor, e ardhmja e të cilit është në BE”, shkroi Varhelyi në Twitter.

Përmes një video-konference, ai bisedoi të premten me ministrat e Jashtëm të vendeve të rajonit rreth asaj se si të ndihmohet furnizimi i tyre me vaksinat kundër koronavirusit.

Është planifikuar që vaksinat të dërgohen në rajon përmes dy kanaleve: i pari është progami i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, i cili mundëson që vendet me të ardhura të larta të sigurojnë se vaksina është në dispozicion edhe për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme; kanali i dytë është përmes shteteve individuale anëtare, që do të kanë tepricë vaksinash.

Agjencia Evropiane e Barnave pritet t’i miratojë vaksinat për tregun evropian të hënën, ndërsa, sipas paralajmërimeve, vaksinimi në BE do të nisë më 27 dhjetor.

Të gjitha shtetet anëtare do të kenë qasje në vaksina në të njëjtën kohë dhe me të njëjtat çmime.

Vaksinimi ka nisur tashmë në disa shtete: Mbretëri të Bashkuar, SHBA, Kanada e Arabi Saudite.