Ballina Aktualitet Sërish bllokohet miratimi i konkluzioneve të BE-së për Ballkanin

Sërish bllokohet miratimi i konkluzioneve të BE-së për Ballkanin

 

Pavarësisht faktit se të mërkurën (16 dhjetor) të gjitha shtetet anëtare të BE-së ishin pajtuar me tekstin e konkluzioneve për zgjerimin dhe Ballkanin Perëndimor, dhe që ato të miratohen formalisht të enjten pa diskutime, përsëri ka ardhur deri te bllokimi i tyre.

Në takimin e sotëm ministrorë, (ministrat e mjedisit) ato nuk janë miratuar.

Është rregull në BE që dokumentet e tilla, pasi për to të pajtohen të gjitha shtetet anëtare në takimin e ambasadorëve, të miratohen në cilindo takim të Këshillit në nivel të ministrave, pa marrë parasysh se cilët ministra janë në pyetje.

Por, në këtë takim, Çekia dhe Sllovakia kanë kundërshtuar miratimin e tyre. Çekia është shprehur se vazhdon të mbështesë fuqishëm procesin e zgjerimit, por teksti i konkluzave, në formën e tashme, do ta komplikonte edhe më shumë këtë proces. Ky shtet ka kërkuar më shumë kohë për të shqyrtuar këto konkluza.

Një diplomat i lartë i BE-së ka thënë për Radion Evropa e Lirë se përplasjet në BE rreth këtyre çështjeve janë “tragjike për Ballkanin” duke fajësuar ata që po bllokojnë vendimet e tilla.

“Është tragjike për Ballkanin Perëndimor që disa kampe brenda BE-së bllokojnë njëri- tjetrin në politikën e zgjerimit. Kësaj radhe të ashtuquajturit miq të zgjerimit kanë vendosur veto në konkluzat e rëndësishme të BE-së në nivel ministrash edhe pse ambasadorët e tyre u pajtuan për tekstin, një ditë më herët. E gjithë kjo dërgon një sinjal shkatërrues në Ballkanin Perëndimor dhe hap dyert për faktorët tjerë në rajon”, ka thënë ky diplomat i BE-së.

Në tekstin që duhej të miratohej i bëhej ftesë Maqedonisë së Veriut që të respektojë marrëveshjet me Greqinë dhe Bullgarinë dhe që në këtë mënyrë “të shmangen pretendimet e bazuara në keqinterpetimet e historisë”. Kjo pjesë e tekstit, sipas disa shteteve, nuk e ka vendin në konkluzat e BE-së.

Bullgaria ka kushtëzuar kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut me BE-në me plotësimin e kërkesave të saj që kanë të bëjnë me emrin e shtetit, gjuhën, identitetin, që sipas saj kanë “rrënjë bullgare”, pastaj me disa personalitete dhe ngjarje nga e kaluara, të cilat pretendon se i takojnë historisë bullgare. Autoritetet bullgare në vazhdimësi kanë akuzuar Shkupin edhe “për nxitje të gjuhës së urrejtjes, si dhe për vjedhje të historisë bullgare”.

Fjalia kontestuese ishte vendosur në draftin e tekstit për të mundësuar heqjen e bllokadës bullgare. Por, disa shtete mendojnë se në këtë mënyrë “Bullgarisë i janë bërë lëshime të panevojshme”.

Në anën tjetër, sipas burimeve diplomatike, Bullgaria nuk ka qenë e kënaqur pse shtetet tjera “nuk kanë pasur mirëkuptim për shqetësimet legale të saj”.

Për shkak të kundërshtimit të Bullgarisë nuk ka kaluar as vendimi për miratimin e kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut. Si pasojë e kësaj, disa shtete kanë kundërshtuar që të miratohet një kornizë e tillë edhe për Shqipërinë.