Sot hapi dyert fillimisht virtualisht muzeu Humboldt Forum në Berlin.
Rindërtimi i këtij muzeu ishte projekti më i shtrenjtë kulturor i Gjermanisë dhe është financuar me 644 milionë euro nga qeveria gjermane, autoritetet e Berlinit dhe donacione private.
Në 40,000 metra katrorë vizitorët mund të kundrojnë ekspozita me art nga Azia, Afrika, Amerika dhe Oqeania si dhe objekte që lidhen me historinë e Berlinit.
Vepra arti me origjinë problematike
Koleksioni etnologjik do të prezantohet duke nisur nga vitit 2021. Një vend qendror planifikohet të ketë koleksioni i ashtuquajtura bronzi i Beninit, i cili do të transferohet nga vendndodhja aktuale, Muzeu Etnologjik në Dahlem në Berlinin jugperëndimor, në Forumin Humboldt në vjeshtën e vitit 2021.
Edhe pse tingëllon si lajm i zakonshëm ky koleksion përbën një mollë sherri për politikën kulturore dhe shkaktoi diskutime të mëdha disa ditë para hapjes së Forumit Humboldt – dhe jo për herë të parë.
Skulpturat e bronzit i përkasin Mbretërisë së Beninit, një monarki parakoloniale dhe shumë e zhvilluar kryeqyteti i së cilës ishte në jugperëndim të Nigerisë së sotme. Më 1897 kolonialistët britanikë e mposhtën Mbretërinë e Beninit dhe plaçkitën pallatet.