Ballina Kulinari Programi Botëror i Ushqimit merr çmimin Nobel të Paqes

Programi Botëror i Ushqimit merr çmimin Nobel të Paqes

 

Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara mori çmimin Nobel të Paqes për vitin 2020 përmes një ceremonie virtuale të enjten. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, kreu i kësaj organizate paralajmëroi se qindra miliona njerëz në të gjithë botën përballen me urinë që është përkeqësuar nga pandemia e koronavirusit.

Një ceremoni virtuale mes pandemisë globale.

Drejtori ekzekutiv i Programit Botëror të Ushqimit e pranoi çmimin përmes një video-konference në Romë, ku ka selinë organizata – dhe falënderoi komitetin Nobel në Oslo.

“Çmimi Nobel për Paqen është më shumë se një falenderim. Është një thirrje për veprim. Për shkak të kaq shumë luftrave, ndryshimit të klimës, përdorimit të urisë si një armë politike dhe ushtarake dhe një pandemie globale që e përkeqëson shumë më tepër situatën – 270 milionë njerëz po marshojnë drejt urisë”.

Në vitin 2019, organizata iu dha ndihmë pothuajse 100 milionë njerëzve në 88 vende të botës.

Komiteti Nobel tha se përveç luftës me urinë, Programi Botëror i Ushqimit gjatë historisë së tij 60 vjeçare ka kontribuar në përmirësimin e kushteve për paqe në zonat e prekura nga konflikti dhe veproi si një forcë lëvizëse në përpjekjet për të parandaluar përdorimin e urisë si armë lufte.

Drejtori rajonal i programit për Afrikën Lindore Michael Dunford i dha Zërit të Amerikës reagimin e tij për çmimin.

“Është një nxitje e jashtëzakonshme. 2020 siç e dini ka qenë një nga vitet më të vështira. COVID-i ka qenë një tronditje tjetër që iu shtua disa prej përmbytjeve më të rënda në Afrikën Lindore, një murtaje me përmasa biblike të karkalecave, dhe për fat të keq, konfliktit dhe pasigurisë më të madhe në kaq shumë vende ku ne ‘jemi duke operuar përsëri, që është shqetësimi kryesor”, tha Michael Dunford.

Dunford thotë se çmimi nderon stafin e Programit Botëror të Ushqimit.

“… Ata punojnë në disa nga vendet më të vështira në botë, thellë në terren, qoftë në Somali apo në Sudanin e Jugut. Dhe me të vërtetë, janë njerëz që duhet të vendosin jetën e tyre në rrezik për të qenë në gjendje të ndihmojnë njerëzit që nuk mund të ushqehen vetë”, thotë Michael Dunford.

Programi Botëror i Ushqimit gjithashtu ka koordinuar logjistikën mjekësore gjatë pandemisë së koronavirusit.

Drejtori ekzekutiv i programit paralajmëroi se një dështim nga komuniteti ndërkombëtar për të adresuar nevojat e të prekurve do të shkaktonte atë që ai e quajti një ‘pandemi urie’ që do ta bënte të dukej i vogël numri i vdekjeve të shkaktuara nga virusi.