Ballina Rajoni Turqia rreth mosmarrëveshjeve me Greqinë e Qipron: BE të përdorë “logjikën e...

Turqia rreth mosmarrëveshjeve me Greqinë e Qipron: BE të përdorë “logjikën e shëndoshë”

 

Turqia i kërkoi Bashkimit Evropian të përdorë “logjikën e shëndoshë” për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes rreth kërkimit të gazit natyror, e cila ka rigjallëruar polemika për çështje territoriale në Mesdheun lindor dhe i ka bërë udhëheqësit e BE-së të kërcënojnë me sanksione.

Duke folur në një konferencë shtypi me homologun e tij hungarez në Ankara, Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu përsëriti se Ankaraja dëshiron të pranohet në BE si anëtare me të drejta të plota dhe shtoi se deklaratat e BE-së që akuzojnë Ankaranë për nxitjen e tensioneve janë të gabuara.

Ai tha se Greqia, vend anëtar i BE-së, ka vazhduar hapat “provokuese” megjithë përpjekjet diplomatike të Turqisë.

Të hënën, ministrat e jashtëm të BE thanë se Turqia dështoi të ndihmonte në dhënien fund të mosmarrëveshjeve me vendet anëtare Greqinë dhe Qipron mbi burimet e mundshme të gazit, por ata ia lanë çdo vendim të mundshëm për sanksione takimit të nivelit të lartë të BE-së që do të mbahet të enjten.

Ata duhet të jenë të drejtë dhe të ndershëm. Nëse ata mendojnë strategjikisht dhe me mendje të shëndoshë, jo vetëm në samit, por gjithmonë, dhe ne arrijmë një atmosferë pozitive, ne mund të përmirësojmë lidhjet tona,” tha zoti Cavusoglu. “Ne mund t’i zgjidhim problemet tona vetëm me dialog dhe diplomaci,” tha ai.

Anëtarja e NATO-s dhe kandidatja e BE-së Turqia ka mosmarrëveshje me Greqinë dhe Qipron për shtrirjen e tabaneve të tyre kontinentale në Mesdheun lindor. Tensionet u ndezën në gusht kur Turqia dërgoi anijen e saj të eksplorimit Oruc Reis në ujërat e pretenduara nga Greqia.