Ballina Ravijëzime LDK mes ngritjes dhe rënjes historike!

LDK mes ngritjes dhe rënjes historike!

 

Shkruan: Florim Zeqa

“Ideologjia mund të jetë hyjnore, por nëse atë ideologji hyjnore e zbaton në jetë një Jo-njeri, ajo ideologji shndërrohet në ideologji djallëzore, dhe anasjelltas-nëse një ideologji djallëzore e zbaton në jetë një njeri i frymëzuar me humanizëm e dashuri, ajo ideologji shndërrohet në ideologji hyjnore” (Rexhep Bunjaku).

E fillova në këtë mënyrë shkrimin, jo për të tërhequr vemëndjen e lexuesve, por për të tërhequr vërejtjen qytetarëve të vendit për rrezikun e manipulimit nga politikanët me lëkurë qengji e me shpirtë prej djalli, të cilët në asnjë periudhë historike nuk kanë dhënë gjë nga vetja e tyre për lirinë e vendit dhe shtetndërtimin e Republikës së Kosovës.

Për të kuptuar më qartë dhe më mirë atë që ceka më sipër, secili qytetarë i vendit paraprakisht vendimit për t’u larguar apo për t’iu bashkangjitur një subjekti tjetër politik, fillimisht duhet të analizoj të kaluarën dhe të tashmën e liderit, sukseset dhe dështimet, të mirat dhe dëmet që i ka shkaktuar vendit dhe të mos mashtrohet nga fjalët, por të inspirohet nga veprimet praktike.

Për dallim nga diktatura, demokracia i ka rregullat e veta. Përderisa në demokraci partitë politike udhëhiqen nga diktatorët, edhe për shumë vite do të kemi sisteme totalitare e jo demokratike të qeverisjes.

Përderisa partitë politike të udhëhiqen nga liderë me ide të vjetra komuniste, nuk do të kemi reformim të partive dhe do të kemi mentalitet të vjetër qeverisës.

Ndërlidhja ideologjike mes subjekteve politike, përkatësisht bashkimi dhe ndërlidhja mes politikanëve me idelogji të kundërt politike i ka vënë në lajthitje qytetarët e vendit.

Nuk ka si të jetë ndryshe, kur një politikan (e) e kalibrit thirret zëshëm në një filozofi politike, ndërsa në anën tjetër i bashkangjitet apo mbështet subjektin me filozofi dhe ideologji të kundërt politike.

Një bashkëdyzim i politikanëve dhe ideologjive të kundërta politike përveqse nuk paraqet vlerë, rrezikon proceset demokratike dhe të ardhmen e shtetit nesër.

Me bashkëdyzimin e politikanëve me pole të kundërta politike nuk prodhohet drita sikurse në sistemin elektrik, por shkaktohet terri dhe tronditjet e thella në elektoratet e partive politike.

Një parti e krahut të majtë politik e mbushur me politikan të djathtë nuk është më e tillë dhe anasjelltas në parti e krahut të djathtë nuk mund të zhvillohet me mendësi komuniste.

Sikurse që është i pamohueshëm fakti që LDK-ja lindi si lëvizje intelektuale në mbrojte të interesit shtetërorë dhe kombëtar, si kundërvënje ndaj sistemit okupues të Serbisë, pothuajse të gjitha partitë politike të pas luftës janë produkt i LDK-së.

Lindja e shumicës së partive tjera pas LDK-së janë produkt i grupeve të interesit të cilat e shfrytëzuan luftën çlirimtare për t’u faktorizuar në skenën politike dhe e grupeve tjera të interesit të cilat nuk e ndihmuan as luftën dhe as paqen, duke u munduar ta grabitin “peshkun në pjatë” siq e thotë populli, për ta marrë të gatshëm pushtetin në shtetin e lirë dhe të pavarur.

Edhe përkudër lidjes së dy partive nga dy krahët e luftës (PDK e AAK), deri në vdekjen e liderit të saj historik, LDK-ja bindshëm dhe pa konkurencë ishte partia e parë politike në vend.

Sikurse pas shkuarjes në amshim të liderit historik Ibrahim Rugova, kur kundërshtarët politikë i kurdisen bomben LDK-së në Kuvendin e VI-të dhe e ndanë në dysh LDK-në, edhe tani pas lidhjes (prishjes) së koalicionit qeverisës me LVV-në, i vunë “bomben” tjetër e cila i rrezikon asaj ndarjen e dytë akoma më të dhimbshme, nga e cila vështirë se do të këndellet më.

Sikurse 14 vite më parë, kur LDK-ja u nda në dysh nga lufta për pushtet apsolut në LDK mes dy figurave madhore, Fatmir Sejdiu dhe Nexhat Daci, edhe në vitin 2020 po rrezikon të ndahet nga dy figuat më kontraverse të LDK-së post-rugoviane, Isa Mustafa dhe Vjosa Osmani.

Pa dashur kësaj radhe të ndalem në profilet e tyre politike, sikurse njëri (Isa Mustafa), ashtu edhe tjetra (Vjosa Osmani) janë më pak rugovistë se secili themeltar i LDK-së, janë më pak rugovistë se secili aktivistë dhe veprimtarë dhe më pak rugovistë se secili anëtarë i thjeshtë i LDK-së rugoviane.

LDK-së nuk i duhet Isa Mustafa dhe as Vjosa Osmani. Kur e themë ketë e kam parasysh faktin se këta përseri mund të bëhen bashkë dhe t’i bien në përqafim njëri-tjetrit për interesat e tyre personale.

Rasti historik i Vjoses për t’u ngritur në majat e LDK-së ishte në momentin kur e nominoj kryetari aktual si kandidate për kryeministre. Pikërisht atëherë është dashur që t’ia refuzoj kategorikisht ofertën e jo t’i hidhet në përqafim Isa Mustafës.
Pikërisht nga ai moment i kundërshtimit do te fillonte ngritja e saj drejt majave të partisë dhe çkapja e LDK-së , e jo pas prishjes së koalicionit qeverisës me LVV-në dhe shkarkimit të (pa) merituar nga strukturat e partisë.

LDK-së nuk i duhen as ata që ikën dhe u tretën në partitë tjtera për interesa personale, por i duhet një gjak i pastër dhe i padjallëzuar rugovian.

LDK-së i duhet një liderë i ri, i cili nuk ka qenë asnjëherë pjesë e grupeve të interesit në LDK-në post-rugoviane, një personalitet i elites intelektuale, i papërfshirë në qeverisjet e pista të pas luftës në Kosovë apo një liderë nga Diaspora i papërfshirë në aferat e 3 përqindëshit.

Fati i LDK-së nuk guxon të mbetet edhe më tutje në dorën e kundërshtarëve politik të Rugovës, por duhet të kalojë sa më parë në dorën e elektoratit, të atyre që e duan më së shumti, për shkak se trashëgimia rugoviane (LDK) ndodhet në udhëkryqin më të madhë politik nga themelimi i saj, në mes të ngritjes dhe rënjes historike.

07.12.2020