Ballina Bota Situata e COVID, Gjermania thirrje BE-së: Të mbyllen resortet e skive

Situata e COVID, Gjermania thirrje BE-së: Të mbyllen resortet e skive

Gjermania po kërkon një marrëveshje me vendet e BE për të mbajtur vendpushimet e skive të mbyllura deri në fillim të Janarit të vitit 2021, në një përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Kancelarja Angela Merkel u shpreh se kjo nuk është një gjë e lehtë, por duhet marrë masa “që të përpiqemi të frenojmë valën e dytë”. Ndërkohë në Gjermani vijon bllokimi i pjesshëm deri në 20 Dhjetor, pasi rastet e reja po shtohen.

Thirrja e Gjermanisë bëhet në një kohë kur vala e dytë e COVID është përhapur në të gjithë Evropën dhe shumë vende kanë marrë masa shumë të rrepta, por dhe si një kujtes për valën e parë të përhapjes ku resortet e skive ishin disa nga vatra më të nxehta.

Edhe Kryeministri italian Giuseppe Conte ka mbështetur tashmë shtyrjen e fillimit të sezonit të skive, por ka theksuar nevojën për një zgjidhje evropiane.

“Nëse Italia vendos të mbyllë të gjitha resorët e skive pa ndonjë mbështetje nga Franca, Austria dhe vendet e tjera, atëherë turistët italianë do të rrezikonin të shkonin jashtë vendit”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër dhe Presidenti Emmanuel Macron bëri të qartë se vendpushimet e skive në Francë do të qëndronin të mbyllura deri në Vitin e Ri.

Por Austria ka shprehur shqetësim rreth një plani në të gjithë BE-në, duke theksuar se unioni nëse merr këtë vendim duhet të paguajë dëmet financiare.