Ballina Rajoni Macron konfirmon përkrahje në proceset nëpër të cilat po kalon Kosova

Macron konfirmon përkrahje në proceset nëpër të cilat po kalon Kosova

 

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka zhvilluar një takim virtual me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron ku kanë biseduar për situatën e krijuar pas ngritjes së aktakuzave të para nga Dhomat e Specializuara të Kosovës si dhe procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Në njoftimin e zyrës së kryeministrit Hoti, thuhet se Macron ka vlerësuar reagimin institucional dhe të qytetarëve të Kosovës pas arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Ndërkohë sa i takon procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën, në njoftim thuhet se:

“Kryeministri Hoti dhe Presidenti Macron, u dakorduan që ditëve në vijim, si pjesë e mekanizmave për verifikim, të zhvillohen takime në nivel të ekspertëve që do të pasoheshin me takimin në nivel politik midis ministrave të brendshëm të të dyja vendeve”.

Hoti dhe Macron biseduan edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, me njohe reciproke, në kufijtë aktualë. Ata pajtuan që të organizohet edhe një takim i nivelit të lartë rreth ecurisë së procesit të dialogut.

Zyra e kryeministrit Hoti njofton se presidenti Macron, i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit për vizituar Kosovën.