Ballina Bota Corona: Gjermania ndryshon ligjin për mbrojtjen nga infektimet

Corona: Gjermania ndryshon ligjin për mbrojtjen nga infektimet

 

Bundestagu dhe Këshilli Federal duan të vendosin mbi bazë më të sigurtë ligjore masat që merren në kuadër të pandemisë. Projektligji është i kontestuar. Kundërshtarët e politikës së Coronës kanë paralajmëruar protesta.

Bundestagu këshillohet këtë të mërkurë për të marrë një vendim mbi reformën e ligjit të mbrojtjes nga pandemitë. Me rregulloret e reja duhet që masat e marra për mbrojtjen nga pandemia të vendosen mbi një bazë të sigurtë ligjore. Me këtë projektligj lidhen edhe rregullore si detyrimi për argumentimin e masave dhe ajo e kufizimit kohor të tyre. Mbasditen e së mërkurës për këtë ligj të koalicionit të Unionit CDU/CSU dhe SPD debaton edhe Këshilli Federal.

Ligji për mbrojtjen nga pandemitë është reformuar disa herë me fillimin e pandemisë së Coronës. Ndër të tjera është futur edhe klauzola, se Bundestagu duhet të përcaktojë dhe heqë gjendjen epidemike me përmasa kombëtare. Nëse një gjë e tillë vendoset nga Bundestagu, si në pranverë në parlament, atëherë Ministria e Shëndetësisë merr kompetenca të posaçme për të lëshuar dekrete ligjore, pa qenë nevoja që të vendosë Këshilli Federal.

                 Merkel dhe ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn

Me reformën që diskutohet të mërkurën, rregullohen me ligj edhe detaje të tjera. Ndër të tjera parashikohet një paragraf i përcaktuar si 28a, që përshkruan me imtësi, se cilat masat mund të merren nga landet dhe autoritetet e tjera kundër virusit të Coronës. Këtu futen kufizimet e kontakteve, vendosja e rregullit të distancës, detyrimi për maskë në ambientet publike, mbyllja e dyqaneve apo anulimi i evenimenteve – të gjitha masa që u morën në kuadër të pandemisë.

“Kufizime të forta në të drejtat themelore”

Opozita gjermae, shoqatat e ekonomisë dhe juristët e kritikojnë këtë ligj. Ata shohin aty kufizime të forta të të drejtave bazë dhe kërkojnë më shumë të drejtë fjale të parlamenteve (edhe të landeve) për masat e Coronës. Kryetarja e partisë e E Majta, Katja Kipping u shpreh, se projektligji i qeverisë vazhdon përqëndrimin e fuqisë vendimmarrëse në selinë e ministrit të Shëndetësisë, Jens Spahn. E Majta nuk do ta miratojë këtë projektligj, sipas të dhënave të saj. Edhe partia liberale, FDP e refuzon këtë projektligj. “Për ne hapësira e veprimit të qeverisë në ndërhyrjen që bën tek të drejtat bazë është si edhe më parë shumë e madhe”, u shpreh kreu i liberalëve, Christian Lindner.

Kundër politikës së qeverisë e landeve kanë bërë thirrje për protesta kundërshtarët e masave të Coronës. Policia është duke u përgatitur për demonstrata, me gjasë edhe protesta të dhunshme. Ministria e Punëve të Brendshme nuk lejoi protestat direkt para Bundestagut dhe Këshillit Federal. Mohuesit e Coronës e krahasojnë ligjin për mbrojtjen nga pandemitë me ligjin e vetëfuqizimit (ligji i vitit 1933, ku Rajshtagu shfuqizoi vetveten dhe i dha Hitlerit mundësinë për të marrë vendime e lëshuar ligje duke i dhënë kështu pushtet të plotë nazistëve e forcuar diktaturën nacionalsocialiste, shën.red.)

Sekretari i Përgjithshëm i SPD-së, Lars Klingbeil shkroi. “Ligji i vetëfuqizimit? Njerëz, nuk e keni seriozisht apo jo?” Kurse kreu i degës së landit, CSU, Andreas Dobrindt foli për një gënjeshtër keqdashëse, nëse kritikët ligjin e qeverisë e barazojnë me “ligjin e vetëfuqizimit” të nazistëve. Nuk bëhet fjalë për t’i hequr të drejta parlamentit, por për ta forcuar atë.Tek shumë deputetë gjermanë kanë vërshuar E-maile kritikë kundër ligjit të mbrojtjes nga infektimet. Shumica e E-maileve kanë pasazhe të njëjta në tekst.

la/se/fab/kle (dpa, afp, ard)