Ballina Aktualitet Mali i Zi, Lista Shqiptare deklarohet kundër pjesëmarrjes në qeverinë e re

Mali i Zi, Lista Shqiptare deklarohet kundër pjesëmarrjes në qeverinë e re

 

Lista Shqiptare nuk do të jetë pjesë e qeverisë së re, të kryesuar nga Prof. Dr. Zdravko Krivokapiq, që pritet të formohet së shpejti.

Vendimi është marrë në takimin e kryesisë së Listës Shqiptare dhe është bërë i ditur nga bartësi i Listës Shqiptare, Nik Gjeloshaj.

Më herët nga Lista Shqiptare kanë paralajmëruar se mund të jenë pjesë e qeverisë së re. Në takimin e parë me mandatorin për formimin e qeverisë, nga Lista Shqiptare kishin deklaruar se janë pranuar kërkesat e tyre dhe se atyre u ishin ofruar disa poste të rëndësishme, përfshirë postin e zëvendëskryeministrit dhe Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave.

Më pas, pas një takimi tjetër që përfaqësuesit e kësaj liste kishin pasur me mandatorin Krivokapiq, ishte bërë e ditur se një pjesë e kërkesave të Listës Shqiptare nuk ishin pranuar.

Por si duket, prezantimi i përbërjes së re të qeverisë dhe i emrave të ministrave ka shërbyer si kthesë në qëndrimin dhe vendimin përfundimtar të Listës Shqiptare mbi pjesëmarrjen në qeverinë e re.

Duke arsyetuar vendimin e Listës Shqiptare, bartësi i saj Nik Gjeloshaj ka deklaruar për Televizionin e Malit të Zi se vendimi i tillë është marrë edhe për shkak të përbërjes së qeverisë, por edhe për shkak të disa zgjedhjeve personale.

Ai e ka cilësuar si jo të sinqertë ftesën që iu është bërë pakicave për të hyrë në qeveri.

“Këtu nuk është folur shumë për funksione, për ne është më i rëndësishëm koncepti i qeverisë, programi. Për dallim prej të tjerëve, pas zgjedhjeve ne kemi thënë se do të ulemi dhe do të bisedojmë. E respektojmë procedurën demokratike, demokracinë parlamentare. Parimi në demokracitë e zhvilluara është që pakicat janë pjesë e pushtetit. Dhe të shohim nëse ftesa është e sinqertë apo formale”, ka deklaruar Gjeloshaj.

Sipas tij, më të rëndësishëm janë parimet sesa hyrja në qeveri.

Ai nuk ka pranuar të thotë se çfarë është kontestuese lidhur me përbërjen e qeverisë së re.

As Koalicioni Shqiptar “Bashkë nji za” nuk ka pranuar të jetë pjesë e qeverisë së re, të cilën e mbështesin shumica parlamentare e përbërë nga koalicionet “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, “Paqja është kombi ynë” dhe “E zeza në të bardhë”.

Koalicioni Shqiptar “Bashkë nji za” kishte refuzuar madje edhe ftesën për takim të mandatorit Zdravko Krivokapiq.

Nga 81 vende, sa numëron parlamenti i Malit të Zi, në zgjedhjet e 30 gushtit Partia Demokratike Socialiste e presidentit Milo Gjukanoviq me partnerët e vet fitoi 40 vende, kurse 3 koalicionet opozitare fituan 41 vende.

Mandatori për kryeministër të qeverisë së re të Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq paralajmëroi se me 2 dhjetor do të formohet qeveria, ku në përbërjen e saj do të ketë kryesisht ekspertë të fushave të ndryshme. Krivokapiq, vuri në dukje, se prej 12 ministrave, sa do të ketë qeveria e re, vetëm njëri do të jetë nga politika dhe ai do të jetë lideri i opozitës Dritan Abazoviqi, i cili është kandidat për Ministër i Mbrojtjes dhe Zëvendëskryeministër i qeverisë së re të Malit të Zi.