Ballina Bota Lufthansa fillon testimin e udhëtarëve para fluturimit

Lufthansa fillon testimin e udhëtarëve para fluturimit

 

Kompania e fluturimeve Lufthansa nga e enjtja filloi testimin e udhëtarëve për COVID-19 përpara hipjes në aeroplan. Testi i shpejtë fillimisht po bëhet për udhëtarët e fluturimeve Mynih-Hamburg. Nëse del se është efikas, kjo mund të shndërrohet në një rutinë të re të fluturimeve.

Vetëm ata udhëtarë që dalin negativ në testin për COVID-19 ose që kanë dëshmi se kanë kryer një test gjatë 48 orëve të fundit, mund të hipin në aeroplan.

No media source currently available

0:002:040:00
 Direct link 

Rezultati i testit bëhet i ditur brenda 15 minutave.

“Nëse testi jep simbolin “C” nënkupton se ka funksionuar dhe nëse pastaj shfaqet shkronja “T” testi është pozitiv. Rezultati mund të lexohet për 15-30 minuta para se ngjyra të zbehet”, thotë Hanns-Georg Klein, doktor.

E gjithë kjo po bëhet për të ofruar siguri gjatë udhëtimit, thonë zyrtarët e kompanisë së fuqishme ajrore.

“Në këtë mënyrë të gjithë udhëtarët që futen në aeroplan kanë dëshmi se nuk janë të infektuar. Një test negativ u kërkohet edhe ekipit të fluturimit dhe pilotëve”, thotë Christoph Leffers, udhëheqës i ekipit të punës së kompanisë Lufthansa.

Udhëtarët shprehen të kënaqur me procedurat e reja.

Yannis Grothelueschen, udhëtar

“Mendoj se është një gjë e mirë që ka më shumë testime sepse jemi më të sigurtë gjatë fluturimit”, thotë Yannis Grothelueschen, udhëtar.

“Më njoftuan se duhet të vij më herët në aeroport për të kryer testin. Nëse e di se unë dhe të tjerët nuk jemi të infektuar ndihem mirë në aeroplan”, thotë udhëtari tjetër, Wolfgang Kogeisl.

Edhe nëse nuk janë të infektuar, udhëtarët janë të detyruar të mbajnë maska dhe të respektojnë rregullat të tjera të sigurisë.

Kompania Lufthansa realizon dy herë në ditë fluturime nga Mynihu në Hamburg. Pasi të analizohet efektshmëria, testimet e shpejta mund të shndërrohen në rutinë të re përpara fluturimeve.

Pandemia shkaktoi krizë të rëndë në industrinë e aviacionit, tejkalimi i së cilës nuk pritet të ndodhë para vitit 2025.

Testi i shpejtë është më pak i besueshëm kur krahasohet me testet që kryhen në laborator.

Aeroporti i Mynihut tashmë ka një qendër të shpejtë testimi në shërbim të të gjithë udhëtarëve, kundrejt një pagese. Udhëtarët e kompanisë Lufthansa do të kryejnë testin falas.