Ballina Rajoni Shoqata “Dardania” ndihmon personat me aftësi të kufizuar në Kosovë –...

Shoqata “Dardania” ndihmon personat me aftësi të kufizuar në Kosovë – Nga Adem Lushaj

 

Bashkatdhetarët tanë që jetojnë dhe punojnë në shtete të ndryshme të Evropës, të organizuar nëpër Klube apo Shoqata, mundohen që në mënyra të ndryshme të ndihmojnë Kosovën, përkatësisht qytetarët e saj. Përkrahje e tillë po vjen edhe nga Shoqata humanitare “Dardania” me seli në Wesbaden të Gjermanisë. Kjo shoqatë, edhe këtyre ditëve të pandemisë, është përkujdesur që sado pak të ndihmon njerëzit në nevojë, e në veçanti ata me aftësi të kufizuara. Këtë e konfirmon edhe kryetari i Shoqatës, Hajdar Nitaj, përmes komunikimit elektronik, sipas të cilit “Dardania” e themeluar në vitin 1997, ka ndihmuar dhe do vazhdon të ndihmon njerëzit në nevojë, qoftë në mënyrë direkte apo edhe përmes Shoqatave dhe institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës. “Qëllimi i Shoqatës sonë është që të ndihmojmë popullin shqiptar në Kosovë, apo edhe në vende të tjera, varësisht nga mundësitë financiare që do kemi”, ka treguar Nitaj, i cili ka bërë publike listën e përkrahjes së bërë këto ditë, me karroca për personat apo shoqatat në Kosovë. Në listën e dërguar nga “Dardania” e Wesbadenit, shihet se shtrirja e përkrahjes së saj, është në tërë territorin e Kosovës. Këtë e pohon edhe Nitaj, duke thënë se “me mundësitë që kishin, sidomos gjatë kësaj kohe, kur e gjithë bota përballet me CORONA Virusin, anëtarët e Shoqatës, kanë vendos për të ndihmuar, Qendrën burimore për mësim dhe këshillim “Xheladin Deda” në Pejë, Shoqatën e Intelektualëve të Pavarur në Deçan, dy familje Baftiu nga Kaçaniku, sikurse që nga kjo komunë janë ndihmuar edhe familja Axhami dhe Nikoci”. Po ashtu, sipas tij, nga anëtarët e “Dardania”, është ndihmuar familja Shehu nga Juniku, Ahmetaj nga Prizreni dhe Nitaj nga Deçani. Mirëpo, ndihmat për familjet shqiptare do vazhdojnë edhe në të ardhmen, në çdo komunë të Kosovës, bën të ditur kryetari i kësaj Shoqate humanitare, Hajdar Nitaj, duke thënë se meritat u takojnë anëtarëve të shoqatës të cilët nuk kursejnë xhepin e tyre, ndërsa këtij i mbetet të kryen obligimet që i japin kolegët e tij. “Ata që ndihmojnë dhe meritojnë lëvdatat, janë anëtarët e shoqatës, ata të cilët nuk kursejnë xhepat e tyre, për të ndihmuar njerëzit në nevojë”, ka nënvizuar Nitaj, duke u shprehë optimistë se nuk do të ndalojnë së vepruari për interesin e Kosovës, për interesin e popullit shqiptar.