Ballina Rajoni COVID-19, italianët protestojnë ndaj kufizimeve të reja

COVID-19, italianët protestojnë ndaj kufizimeve të reja

 

MILANO – Protesta të dhunshme shpërthyen në më shumë se 15 qytete italiane pasi qeveria njoftoi masa të reja për të frenuar një valë të dytë të infeksioneve me COVID-19. Udhëheqësit italianë po nxitojnë të shmangin kritikat duke u munduar të miratojnë një paketë shpëtimi financiar për bizneset në vështirësi.

Protestuesit e zemëruar dolën në rrugët e disa prej qyteteve më të mëdha të vendit, por edhe ato më të vogla, nga veriu në jug të Italisë, për të treguar pakënaqësinë e tyre me kufizimet e reja për COVID-19.

Kryeministri Giuseppe Conte u tha italianëve se ishte shumë i vetëdijshëm se “ky është një moment kompleks pasi kjo është një pandemi që po na sfidon ashpër, duke shkaktuar zemërim, zhgënjim dhe pabarazi të reja. I vetëdijshëm për sa biznese po vuajnë, zoti Conte tha se qeveria kishte hartuar një plan.

Ai tha se do të kompensohen të gjithë ata që do të vuajnë nën kufizimet e reja.

Zyrtarët e qeverisë shpresojnë që masat të jenë të mjaftueshme për të shuar zemërimin.

Italianët ishin të parët që u përballën me një shpërthim të gjerë të virusit në fillim të këtij viti dhe u goditën me disa nga masat izoluese më të vështira në botë, që sollën një dëm serioz për ekonominë e vendit.

Në atë kohë, italianët respektuan rregullat e qeverisë dhe arritën të frenonin virusin deri në verë.

Këtë herë, reagimet nuk ishin të matura dhe u duk se jo të gjithë në vend ishin të gatshëm t’u përmbahen udhëzimeve dhe rregullave të reja të qeverisë. Grupet e ekstremit të djathtë dhe krimi i organizuar gjithashtu duket se qëndrojnë pas përplasjeve të fundit.

Në qytete si Torino, Milano, Napoli dhe Romë, qindra protestues shkatërruan dyqanet, vandalizuan tramvajet dhe u vunë zjarrin koshave të plehrave. Grupe të rinjsh hodhën shishe qelqi dhe brohorisnin.

Shumë politikanë të opozitës dhe madje disa anëtarë të parlamentit të koalicionit qeverisës shprehën mosmiratimin e tyre ndaj masave të reja të ashpra duke thënë se ekonomia tashmë e goditur nuk do të ishte në gjendje të përballonte këto masa. Udhëheqësi i ekstremit të djathtë Matteo Salvini njoftoi se po niste një sfidë ligjore ndaj vendimeve të qeverisë.

Pronarët e bizneseve janë të dëshpëruar duke thënë se disa do të duhet të mbyllen përgjithmonë. Por disa shkencëtarë thonë se masat e miratuara deri më 24 nëntor nuk janë ende të mjaftueshme dhe se shtretërit në njësitë e kujdesit intensiv të spitaleve po mbushen shpejt.

Të martën pritet të miratohet një paketë deri në 6 miliardë dollarë për të mbështetur bizneset në sektorët e restoranteve, sporteve dhe argëtimit, të cilët u goditën rëndë nga kufizimet e reja.