Ballina Aktualitet Zaev-Hoti: Kosova të përfshihet në nismat rajonale

Zaev-Hoti: Kosova të përfshihet në nismat rajonale

 

Kryeministri Zoran Zaev dhe homologu i tij nga Kosova Avdullah Hoti në Shkup kanë biseduar për përparimin e bashkëpunimit ekonomik dhe komunikimit mes dy vendeve, kurse një ndër temat ishte edhe lidhja përmes autostradave të Shkupit me Prishtinën.

Nëse këtë e përfundojmë, fillimi ose tremujori i parë i vitit 2021 do të fillojë me realizimin komplet. Besoj se për dy vjet e gjysmë me mekanizime bashkëkohore, mund të arrihet ndërtimi i autostradës”, tha Zaev.

Kemi rreth 40 marrëveshje të nënshkruara dhe unë me padurim pres të organizojmë një seancë të përbashkët dhe t`i shqyrtojmë dhe zbatojmë marrëveshjet, si dhe t`i shqyrtojmë bashkëpunimet tjera duke nënshkruar marrëveshje të reja”, u shpreh Hoti.

Kryeministri Zaev ka përshëndetur Marrëveshjen e Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë duke theksuar se përkrah dialogun në kuadër të BE-së. Ai paralajmëroi se javën e ardhshme do të takohet me Presidentin serb Vuçiç dhe Kryeministri shqiptar Edi Rama, ku do të dërgojnë një mesazh të përbashkët që Kosova të kyçet në bashkëpunimin rajonal.

Presim që Kosova të kyçet në bashkëpunimin e përforcuar rajonal që udhëhiqet nga RMV-ja, Serbia dhe Shqipëria me qëllim që karakteri inkluziv të jetë prioritet për rajonin pa marrë parasysh çështjet e hapura politike”, u shpreh Zaev.

Edhe kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka përshëndetur nismat për bashkëpunim rajonal duke potencuar se pret që të konkretizohen në Samitin e Sofjes në kuadër të Procesit të Berlinit.

Pres që Samiti i Sofjes që organizohet nga ju dhe Bullgaria të jetë i suksesshëm për rajonin duke konkretizuar disa nga nismat që i keni filluar mandatin paraprak. Nismat të jenë bazë dhe të njëjta për vendet ballkanike”, tha Hoti.

Dy Kryeministrat paralajmëruan se së shpejti, kur të lejojnë kushtet, Qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës do të mbajnë edhe seancë të përbashkët. Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti është takuar edhe me Presidentin Stevo Pendarovskin kurse në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ka realizuar takime me Kryeparlamentarin Talat Xhaferi si dhe me liderë të partive politike në vend.