Shkencëtarët në Australi kanë zbuluar se koronavirusi mund të mbijetojë në sipërfaqe të forta deri në 28 ditë.
Në një studim të botuar të hënën në revistën mjekësore “Virology Journal”, studiuesit e agjencisë australiane të shkencës, CSIRO, zbuluan se virusi SARS-COV-2 është “jashtëzakonisht i fortë” dhe jeton 28 ditë në sipërfaqe të lëmuara në temperaturën 20 gradë celsius, krahasuar me virusin e gripit, i cili mbijeton 17 ditë në të njëjtat rrethana. Shkencëtarët zbuluan gjithashtu se virusi SARS-COV-2 nuk është infektiv pas rreth 24 orësh ekspozimi në temperaturën 40 gradë celsius.
Shkencëtarët australianë zbuluan se koronavirusi mund të mbijetojë në sipërfaqe të zakonshme si kartëmonedhat, qelqi dhe çeliku i pandryshkshëm.
Në Britani, kryeministri Boris Johnson po njofton një sistem të ri alarmi për koronavirusin. Në vend të zbatimit të masave të njëjta kufizuese për të gjithë vendin, sistemi i ri i qeverisë bënë tre klasifikime, zonat me rrezik të mesëm, të lartë dhe shumë të lartë. Në nivelin e parë, zonat me norma relativisht të ulëta të infeksionit do të kenë kufizime të caktuara në restorante dhe lokale, masat kufizuese shtrëngohen gradualisht deri në nivelin e tretë, kur restorantet dhe lokalet do të detyrohen të mbyllen.
Sistemi i ri zbatohet ndërsa Britania po arrin atë që një zëdhënës i Kryeministrit Johnson e përshkroi si “një moment kritik”. Vendi po përjeton një rritje dramatike të rasteve të reja me Covid-19, veçanërisht në qytetet veriore si Liverpul, Mërsejsajd, Mançester dhe Njukasëll. Në Britani 42,825 njerëz kanë vdekur nga Covid-19, një nga shifrat më të larta në Evropë, përfshirë 65 të dielën.
Më shumë se 37.4 milionë njerëz në të gjithë botën janë diagnostikuar me koronavirus, duke përfshirë 1,075,942 vdekje, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins. India zyrtarisht kaloi të dielën shifrën e 7 milionë infeksioneve me Covid-19, e dyta pas Shteteve të Bashkuara, që kanë 7.7 milionë raste të konfirmuara. Ministria e shëndetësisë në Indi raportoi gjithashtu 918 vdekje të reja nga Covid-19, duke e çuar 108.334 numrin total të vdekjeve nga kjo sëmundje në vend.
Autoritetet shëndetësore në qytetin bregdetar lindor të Kinës, Qingdao do të testojnë nëntë milionë banorët e tij pasi raportuan nëntë raste të reja me koronavirus të dielën, të gjitha të lidhur me një spital që trajton njerëzit e infektuar që janë kthyer nga udhëtimet jashtë vendit. Rastet e reja përfshijnë katër infeksione të konfirmuara dhe pesë raste asimptomatike, duke i bërë ato infeksionet e para të regjistruara asimptomatike të transmetuara brenda vendit që nga 24 shtatori, sipas agjencisë së lajmeve Bloomberg./VOA