Ballina Aktualitet Dendias: Të nisim diskutimet me Shqipërinë për detin

Dendias: Të nisim diskutimet me Shqipërinë për detin

 

Ministri i jashtëm grek kërkon rinisjen sa më shpejt të bisedimeve me Shqipërinë për zgjidhjen e çështjes së kufirit detar, siç shprehet në një intervistë për shtypin grek.

“Zgjidhja për Greqinë është përcaktimi i kufijve të shelfit kontinental për ndarjen e Zonave Ekskluzive Ekonomike, në bazë të ligjeve ndërkombëtare për vendet fqinje. Me Shqipërinë duam ta zgjidhim këtë pengesë të prapambetur sa më shpejtë të jetë e mundur. Siç kam thënë në parlament kohët e fundit që pas ratifikimit të marrëveshjeve për demarkacionin detar me Italinë dhe Egjiptin, shpresoj që hapi i radhës të jetë nënshkrimi i një marrëveshjeje me Shqipërinë”, tha Dendias.

Kryediplomati grek thotë se shpreson që marrëveshja e re të kënaqë të dyja palët, pavarësisht se një e tillë u arrit në 2009 mes qeverisë greke dhe asaj shqiptare, e cila nuk u vu në zbatim sipas tij për arsye që dihen.

Dendias kujton që mbyllja e të gjitha çështjeve të mbetura pezull i shërben fqinjësisë së mirë por edhe perspektivës europiane të Shqipërisë.