Ballina Ravijëzime Tre shkencëtarë marrin Çmimin Nobel në fizikë për gjetjet mbi vrimat e...

Tre shkencëtarë marrin Çmimin Nobel në fizikë për gjetjet mbi vrimat e zeza

 

Tre shkencëtarë fituan Çmimin Nobel të këtij viti në fizikë të martën për përparimet në njohuritë për vrimat e zeza. Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave tha se britaniku Roger Penrose do të marrë gjysmën e çmimit të këtij viti “për zbulimin se formimi i vrimave të zeza është një parashikues i fortë i teorisë së përgjithshme të relativitetit”.

Goran K. Hansson, sekretari i Përgjithshëm i Akademisë, tha se gjermani Reinhard Genzel dhe amerikania Andrea Ghez do të marrin gjysmën e dytë të çmimit “për zbulimin e një objekti kompakt supermasiv në qendër të galaktikës sonë”. Çmimet nderojnë “një nga objektet më misterioze të universit”, vrimat e zeza, të cilat janë bërë një element kryesor i fanta-shekencës dhe fakteve shkencore dhe ku koha madje duket sikur ndalet, thanë shkencëtarët e komitetit Nobel.

Penrose provoi përmes matematikës se formimi i vrimave të zeza ishte i mundur, bazuar kryesisht në teorinë e përgjithshme të relativitetit të Albert Ajnshtajnit. Genzel dhe Ghez studiuan qendrën e mbështjellë me pluhur qiellor të Rrugës së Qumështit, ku po ndodhte diçka e çuditshme, disa yje që lëviznin rreth diçkaje që nuk mund të shihej. Ishte një vrimë e zezë supermasive, 4 milionë herë më e madhe se masa e diellit tonë.

Tani shkencëtarët e dinë se të gjitha galaktikat kanë vrima të zeza supermasive.

Çmimi prestigjioz vjen me një medalje të artë dhe një vlerë monetare prej 1,1 milionë dollarësh.

Të hënën çmimi Nobel për Mjekësi i vitit 2020 iu dha shkencëtarëve Harvey J. Alter dhe Charles M. Rice nga Shtetet e Bashkuara dhe Michael Houghton nga Britania për “zbulimet e tyre thelbësore” në identifikimin e virusit të Hepatitit C.

Çmimet Nobel për kiminë, letërsinë dhe për paqen do të shpallen gjithashtu këtë javë. Çmimi për shkencat ekonomike do të shpallet të hënën e ardhshme.