Ballina Bota OKB, udhëheqësit synojnë arritjen e një paqeje më të gjerë në Lindjen...

OKB, udhëheqësit synojnë arritjen e një paqeje më të gjerë në Lindjen e Mesme

 

Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe përshëndetën të martën marrëveshjen e re të paqes mes tyre, gjatë fjalimeve në ditën e fundit të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, duke thënë se ky pakt do të rrisë shanset e zgjidhjes së konfliktit izraelito-palestinez.

“Me nënshkrimin e një marrëveshjeje historike të paqes me Izraelin, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, vendi im ishte në gjendje të ngrijë vendimin e aneksimit dhe hapi perspektivën për arritjen e një paqeje gjithëpërfshirëse në rajon”, tha Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah bin Zayed Al Nahyan në një fjalim të regjistruar më parë. “Ne shpresojmë që kjo marrëveshje e paqes do të sigurojë mundësinë për palestinezët dhe izraelitët që të angazhohen përsëri në negociata për arritjen e paqes.”

Al Nahyan përsëriti angazhimin e qeverisë së tij për një zgjidhje me dy shtete për konfliktin dhjetra vjeçar.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu akuzoi udhëheqjen palestineze për vendosjen e “vetos ndaj paqes” për vite me radhë midis vendit të tij dhe vendeve të tjera arabe. Netanyahu i karakterizoi kërkesat e palestinezëve si “jorealiste”, përfshirë kërkesën e palestinezëve që Izraeli të tërhiqet në kufijtë e para vitit 1967 dhe që refugjatët palestinezë të lejohen të vendosen në Izrael.

“Sigurisht, këto kërkesa, së bashku me shumë të tjera, nuk mund të pranohen si një pikënisje nga asnjë qeveri e përgjegjshme izraelite”, tha Netanyahu në fjalimin e tij të regjistruar më parë. “Megjithatë, për vite me radhë, shumë aktorë në bashkësinë ndërkombëtare janë përpjekur të qetësojnë këto kërkesa absurde palestineze dhe si rezultat, ata kanë humbur kohë në përpjekjet për të çuar përpara një iluzion që nuk do të ndodhë, në vend që të punojnë për një zgjidhje reale që mund të ndodhë.”

Ai përshëndeti Presidentin amerikan Donald Trump për zgjedhjen e “një rruge të nbështetur në realitet” dhe tha se tani që dy shtete arabe, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreni, kanë bërë paqe me Izraelin, vendet e tjera do të ndjekin shembullin e tyre.

Marrëveshjet e Abrahamit u nënshkruan në një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë më 15 shtator.

“Rritja e rrethit të paqes do ta bëjë më të mundshme paqen midis izraelitëve dhe palestinezëve”, tha kryeministri izraelit.

Në një postim në Twitter më 14 shtator, kryeministri palestinez Mohammad Shtayyeh dënoi Marrëveshjet e Abrahamit, duke e quajtur ceremoninë e nënshkrimit “një ditë të zezë në historinë e vendeve arabe”.

Netanyahu tha se kur palestinezët të jenë gati, ai do të jetë i gatshëm të negociojë bazuar në planin e paqes të paraqitur në fillim të këtij viti nga administrata Trump.

Palestinezët e kanë refuzuar planin amerikan, duke thënë se ai favorizon më shumë Izraelin dhe nuk u jep atyre një shtet sovran, me kryeqytet Jeruzalemin Lindor.

Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe gjithashtu kanë një armik të përbashkët, Iranin.

“Arabët dhe izraelitët po bëjnë thirrje së bashku për veprime të ashpra ndaj Iranit”, tha Netanyahu. “Dhe kur arabët dhe izraelitët bien dakord, të tjerët duhet t’u kushtojnë vëmendje.”

Ministri i jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe i bëri thirrje Teheranit të respektojë rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që ndalojnë zhvillimin e raketave balistike dhe armatosjen e grupeve terroriste. Ai tha se marrëveshja bërthamore e vitit 2015 nuk kishte arritur të frenonte Iranin dhe ai shpresonte se një marrëveshje e re gjithëpërfshirëse mund të arrihej me kontributin e shteteve kryesore rajonale që do të trajtonte shqetësimet e tyre.

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas mirëpriti zhvillimet e fundit midis Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahrenit duke i cilësuar ato një “bazë shprese” për konfliktin arabo-izraelit. Ai bëri thirrje që dinamika e re të “shfrytëzohet nga palët për negociata të reja, të besueshme për një zgjidhje me dy shtete që do të mbante premtimin e paqes së qëndrueshme”.

Takimi i përvitshëm i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në të cilin marrin pjesë udhëheqës botërorë, këtë viti u mbajt në formatin virtual për shkak të pandemisë së koronavirusit, e cila ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 1 milion njerëzve në të gjithë botën, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.