Ballina Bota KE kritikon Hungarinë, Bullgarinë, Rumaninë për sundim të ligjit

KE kritikon Hungarinë, Bullgarinë, Rumaninë për sundim të ligjit

 

Komisioni Evropian, që është krahu ekzekutiv i Bashkimit Evropian, kritikoi reformat në drejtësi, të bëra nga Qeveria e Hungarisë dhe ajo e Polonisë, duke i cilësuar si “burim të madh të polemikave” dhe “shqetësim serioz”.

KE-ja e bëri vlerësimin në raportin e saj të parë rreth dështimeve në sundimin e ligjit në të gjithë bllokun.

Raporti u publikua të mërkurën, një ditë para se 27 udhëheqësit e BE-së të mblidhen në Bruksel për një samit dyditor.

Raporti thotë se Hungaria është në mesin e vendeve anëtare ku “drejtimi i ndryshimit ka ngritur shqetësime serioze në lidhje me ndikimin e reformave në pavarësinë e gjyqësorit”, ndërsa “reformat në drejtësi në Poloni, që nga viti 2015, kanë qenë një burim i madh i polemikave”.

Ministri hungarez i Drejtësisë, Judit Varga, e hodhi poshtë raportin përmes një deklarate në Facebook, ku tha se ai ka “të meta” dhe është “i pabazuar”.

Varshava dhe Budapesti janë përplasur vazhdimisht me udhëheqësit e BE-së, për shkak të hapave që kanë ndërmarrë për të rritur kontrollin e shtetit në gjyqësor, media, organizata joqeveritare dhe akademi.

Raporti i Sundimit të Ligjit 2020 adreson sistemet e drejtësisë, kornizat anti-korrupsion, lirinë e medias e të tjera.

Sipas tij, në Hungari, ndjekja penale e korrupsionit të nivelit të lartë “mbetet shumë e kufizuar”.

Bullgaria dhe Rumania janë po ashtu në mesin e vendeve të kritikuara për mangësi në sigurimin e pavarësisë së gjyqësorit.

Raporti e veçon Bullgarinë për kërcënime ndaj gazetarëve dhe mungesë transparence në pronësinë e mediave.

Ky raport mund të ketë pasoja për negociatat mbi buxhetin afatgjatë të bllokut.

Udhëheqësit e BE-së kanë rënë dakord në parim për një paketë të rimëkëmbjes ekonomike në vlerë prej 1.8 trilion eurosh për periudhën 2021-2027, por ata ende nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët për mekanizmin e shpërndarjes.

“Sundimi i ligjit dhe vlerat tona të përbashkëta janë themeli i shoqërive tona”, tha të mërkurën presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Raporti vjen pasi Komisioni Evropian, në fillim të kësaj jave, e hodhi poshtë kërkesën e kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, për të shkarkuar zëvendëspresidenten e KE-së, Vera Jourova, pasi kjo e fundit tha se vizioni i tij i “demokracisë joliberale” çon në fakt drejt krijimit të një “demokracie të sëmurë” në Hungari.