Ballina Rajoni Migrantët vendosin tenda në Serbi, në pritje për të hyrë në shtetet...

Migrantët vendosin tenda në Serbi, në pritje për të hyrë në shtetet e BE-së

 

Dhjetëra migrantë nga Lindja e Mesme dhe Afrika kanë ngritur tenda jashtë Suboticës, qytet në veri të Serbisë, me synimin për të kaluar fshehurazi kufirin e afërt me Hungarinë që çon për në Evropën Perëndimore.

Sipas Qendrës së Mbrojtjes së Azilit, ka rreth 1.000 migrantë në provincën veriore të Vojvodinës që përpiqen të kalojnë në vendet fqinje duke përfshirë Rumaninë dhe Hungarinë, për në pjesët më të pasura të kontinentit.

Rreth 1000 migrantë të tjerë që ishin në Beograd, shumë prej tyre qëndronin në ajër të hapur në parqe ose në brigjet e lumenjve para se të lëviznin gjithashtu në veri drejt kufirit.

“Ne kemi 150 migrantë që hyjnë në vend nga jugu çdo ditë,” tha Rados Gjuroviç, drejtori ekzekutiv i qendrës.

Samir, nga Maroku, tha se ai ishte përpjekur të kalonte kufirin me Kroacinë për të udhëtuar në Gjermani, por u ndalua nga policia dhe patrullat ushtarake. Tani ai është jashtë kampit në Suboticë duke pritur të kalojë në Hungari.

“Ne po qëndrojmë këtu, nuk kemi asgjë, po presim dhe unë lutem gjatë gjithë kohës që të arrijë në Evropën (Perëndimore),” tha ai për Reuters.

Ai dhe të tjerët kishin ngritur tenda në mjediset e një kampi refugjatësh të drejtuar nga qeveria, ku burrat rrinin në grupe duke ngrënë arra, duke biseduar ose duke parë telefonët e tyre të mençur.

Migrantët vinin në radhë për bukën që shpërndahej nga vullnetarët, por pak, nëse kishte, mbanin maska pavarësisht nga pandemia e koronavirusit, raporton Reuters.

Svetlana Palic, zëdhënëse e komisionit të qeverisë për refugjatët, tha se numri i përgjithshëm i migrantëve në Serbi ështe rreth 30% më i lartë nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Ajo nuk tha pse, por politikat e rrepta në Hungari për të kontrolluar numrin e migrantëve që hyjnë në territorin e saj si dhe patrullat në Kroaci nënkuptojnë se disa janë mbërthyer në veri të Serbisë.

Një zjarr në ishullin grek Lesbos kishte rrafshuar një kamp refugjatësh që strehonte më shumë se 12,000 njerëz, duke bllokuar shumicën e tyre.

Javën e kaluar, Bashkimi Evropian nisi diskutimin e një plani për të rishikuar rregullat e migracionit që e kanë ndarë bllokun prej kohësh, duke përfshirë një element që do të detyronte de facto secilin shtet të pranonte një numër refugjatësh.

Polonia dhe Hungaria janë kundër masave të tilla.

Serbia ishte një pikë kyçe për migrantët më 2015, kur më shumë se një milion njerëz që ikën nga luftërat dhe varfëria në Lindjen e Mesme dhe Azi u futën në brigjet e BE-së, duke nxitur ndjenjat e ekstremit të djathtë.