Ballina Sport Cili është klubi më i goditur nga Covid-19 në Premier League?

Cili është klubi më i goditur nga Covid-19 në Premier League?

 

Manchester United rrezikon të humbë më shumë se 127 milionë euro për shkak të pandemisë COVID-19, shkruan Daily Mail. Ky vlerësim mbështetet në të ardhurat potenciale të munguara për shkak të masave të marra për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Manchester United është klubi më i prekur nga koronavirusi në lidhje me të ardhurat e munguara nga shitja e biletave në stadium dhe ato në sektorin komercial. Pas Red Devils, rivalët e Manchester City. Nëse për United, të ardhurat e munguara kapin shifrën 127 milionë euro, për Citizens, kjo shifër arrin në thuajse 120 milionë euro, të lidhura në pjesën më të madhe nga të ardhurat televizive.

Në vend të tretë, Liverpool. Për Red-sat, të ardhurat e munguara vlerësohen në 112 milionë euro, më shumë se gjysma e të cilave janë të ardhura nga të drejtat televizive. Pak më poshtë kufirit prej 100 milionë eurosh, ndodhet Chelsea.

Në lidhje me të ardhurat nga të drejtat televizive, Liverpool është klubi që rrezikon humbjen më të madhe, me rreth 60 milionë euro, ndjekur nga Manchester City, me 58,5 milionë euro. Në vend të tretë Chelsea, me rreth 54 milionë euro dhe Leicester, i detyruar të heqë dorë nga 53 milionë nga të drejtat televizive, nga një total prej 61 milionë eurosh për gjithë sezonin. Ndryshe nga klubet e tjera, humbja e të ardhurave nga të drejtat televizive për Manchester United ishte më pak e dhimbshme. Humbja në këtë zë vlerësohet 52,4 milionë euro.

E vetmja gjë e qartë janë të ardhurat e munguara nga shitja e biletave, pasi Premier League vijon të luhet me dyer të mbyllura. Mbyllja e Old Trafford shkakton një humbje potenciale më shumë se 19 milionë euro, si pasojë e shitjes së munguar së biletave. Red Devils është klubi që rrezikon humbjen më të madhe nga ky zë. Në vend të dytë, Tottenham, me 18,3 milionë euro. Arsenal, në vend të tretë, rrezikon të humbë 16,8 milionë euro nga ndeshjet pa tifozë.