Ballina Bota Presidenti Trump nënshkruan urdhër të ri ekzekutiv për kujdesin shëndetësor

Presidenti Trump nënshkruan urdhër të ri ekzekutiv për kujdesin shëndetësor

 

Presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për kushtet paraekzistuese mjekësore të enjten, mes pandemisë globale dhe pasigurisë në rritje për të ardhmen e mbrojtjeve të garantuara të ligjit shëndetësor të kohës së ish-Presidentit Obama, që administrata e tij ende po përpiqet ta përmbysë.

Në një vizitë në shtetin e Karolinës së Veriut, presidenti foli për atë që ndihmësit e tij e quajtën një “vizion” për kujdesin shëndetësor cilësor me çmime të përballueshme, me kosto më të ulëta të ilaçeve me recetë, më shumë zgjedhje për konsumatorët dhe transparencë më të madhe. Presidenti gjithashtu nënshkroi një urdhër tjetër ekzekutiv në përpjekje për t’i dhënë fund faturave të papritura mjekësore.

Por ndërsa administrata Trump ka bërë disa përparime në synimet e saj në lidhje me kujdesin shëndetësor, ndryshimet e mëdha që ai premtoi si kandidat në vitin 2016 nuk janë realizuar. Demokratët po paralajmërojnë se Presidenti Trump do të kthente kohën prapa nëse do të merrte një mandat tjetër katër vjeçar në Shtëpinë e Bardhë. Ata kanë premtuar sigurime shëndetësore për të gjithë dhe çmime më të ulëta të barnave.