Ballina Bota Brukseli njofton një plan të ri për migrantët

Brukseli njofton një plan të ri për migrantët

 

Pesë vite pas krizës së migrantëve në Evropë, Bashkimi Evropian njoftoi të mërkurën një plan të shumëpritur për migracionin, që thekson ndarjen e detyrueshme të barrës mes vendeve, por gjithashtu kërkon kthimin pas në vendet e tyre të migrantëve të paligjshëm.

I ashtuquajturi plan i ri i migracionit dhe azilit është përpjekja më e fundit e krahut ekzekutiv të Bashkimit Evropian për të krijuar një plan gjithpërfshirës për menaxhimin e migracionit dhe për të rradhitur të 27 vendet anëtare në mbështetje të tij.

Mbështetur nga Gjermania, anëtari më i fuqishëm i bllokut dhe që mban presidencën aktuale të Bashkimit Evropian, plani përfshin rregulla të detyrueshme për ndarjen e barrës së migracionit, qoftë për strehimin e azilkërkuesve apo kthimit të atyre që nuk përmbushin kërkesat për migrim.

Plani gjithashtu synon të forcojë kontrollin e kufijve të jashtëm të Evropës, me plane të reja për të kontrolluar të gjithë migratët dhe zhvilluar me shpejtësi procesin e atyre që nuk kanë gjasa ta fitojnë azilin. Po ashtu, plani synon të godasë trafikun e qënieve njerëzore dhe të mbështesë vendet e origjinës dhe tranzitit për t’u dhënë njerëzve arsye të qendrojnë në vendet e tyre.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se plani vendos një ekuilibër të drejtë mes përgjegjësisë dhe solidaritetit mes pjestarëve të bllokut.

Nuk është çështja nëse vendet anëtare duhet të garantojnë mbështetje me solidaritet dhe kontribute, por si duhet ta mbështesin”, tha zonja von der Leyen.

Plani i komisionit duhet të miratohet nga të 27 vendet anëtare, ndërkohë që disa udhëheqës evropianë shprehën shqetësime përpara se të shpalleshin detajet.

Migrimi është një çështje që ka krijuar ndarje të thella brenda bllokut. Vendet që ndeshen fillimisht me flukset migrantore, si Greqia, Spanja dhe Italia, duan më shumë ndarje të barrës dhe e të tjera mbështetje. Vende të tjera si Hungaria dhe Austria, kundërshtojnë marrjen e migrantëve.

Në sfond të paktit të komisionit ishte edhe zjarri i kohëve të fundit në kampin më të madh evropian të migrantëve në ishullin Lesbos të Greqisë. Ndërsa Gjermania ishte pajtuar të pranonte më shumë se 1,500 migrantë, vendet e tjera po marrin shumë pak ose asnjë.

Marie De Somer drejton programin e migracionit në grupin kërkimor me qendër në Bruksel, Qendra Evropiane për Politika.

Zjarri në Lesbos ishte ngjarje e tmerrshme, por ajo i tregoi publikut të gjerë urgjencën dhe rëndësinë e gjetjes së një zgjidhje evropiane”, tha ajo.

Edhe pse ka rënë ndjeshëm fluksi i migrantëve në Evropë nga mbi një milion në vitin 2015 në vetëm 140 mijë vitin e kaluar, shtatë vende evropiane, përfshi vendet anëtare të bllokut si Hungaria dhe Kroacia, kryesojnë një anketë të Gallup-it si vendet kryesore që nuk dëshirojnë migrantë.

Pyetja qëndron se si të zëvendësojmë migracionin e paligjshëm, kalimin e Mesdheut me anije, me forma më të ligjshme të migrimit. Mendoj se kjo është një nga sfidat më të mëdha me të cilat do të përballet Evropa gjatë 20 apo 30 viteve të ardhshme. Nuk ka një zgjidhje magjike”, thotë analisti Stefan Lehne i “Carnegie Europe”.

Komisioni Evropian thotë se do të bëjë të ditur propozimet për migracionin e ligjshëm si dhe sistemin Shengen vitin që vjen.