Ballina Aktualitet Shtyhet samiti i BE-së, Presidenti i Këshillit Evropian në vetëizolim

Shtyhet samiti i BE-së, Presidenti i Këshillit Evropian në vetëizolim

 

Një zëdhënës i Presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel tha se samiti i udhëheqësve të Bashkimit Evropian i planifikuar për të enjten dhe të premten është shtyrë, pasi zoti Michel u detyrua të vetëizolohej pas kontaktit me një roje të sigurisë të infektuar me Covid-19.

Zëdhënësi i këshillit të Bashkimit Evropian, Barend Leyts shkroi në Twitter se Charles Michel mësoi të martën se një oficer sigurie me të cilin ishte në kontakt të ngushtë në fillim të javës së kaluar, rezultoi pozitiv për Covid-19.

Zëdhënësi Leyts tha se presidenti i këshillit të BE-së është testuar rregullisht, dhe të hënën ka rezultuar negativ për Covid-19. Por Charles Michel planifikon të respektojë rregulloret e Belgjikës për koronavirusin dhe është vetëizoluar. Selia e Bashkimit Evropian është në Bruksel.

Samiti, i planifikuar tani për 1-2 tetor, do të përqëndrohet në një larmi çështjesh duke filluar nga negociatat e Brexit-it, deri te ndryshimi i klimës dhe tensionet midis Greqisë dhe Turqisë për të drejtat e shfrytëzimit të burimeve energjitike në zonën e detit Mesdhe që ndodhet në lindje të Qipros. Miratimi përfundimtar i sanksioneve kundër Bjellorusisë në lidhje me shtypjen e protestave pas zgjedhjeve të kontestuara të muajit të kaluar pritet të jetë gjithashtu në fokus të samitit.

Charles Michel, ish-kryeministër belg, shpenzoi pjesën më të madhe të javës së kaluar në përpjekjet diplomatike mbi çështjen e Turqisë, duke përfshirë udhëtime në Qipro, ishullin grek të Lesbos dhe Athinë.