Ballina Bota Vendet evropiane shpallin kufizime të reja për shkak të koronavirusit

Vendet evropiane shpallin kufizime të reja për shkak të koronavirusit

 

Vendet evropiane njoftuan të premten masa të reja kufizuese për shkak të koronavirusit, një ditë pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se rastet e infektimit kanë filluar të përhapen sërish në mbarë kontinentin evropian me “ritme alarmuese”.

Në Spanjë, ku ka mbi 620 mijë raste, më shumë se në çdo vend tjetër evropian, qeveria rajonale e Madridit urdhëroi vendosjen e masave të ndalim-qarkullimit që nga e hëna në disa prej zonave më të varfëra, pas një rritjeje të ndjeshme të rasteve të atjeshme. Megjithëse do të vendosen masa kufizuese në këto zona, njerëzve do t’u lejohet të shkojnë në punë.

Autoritetet në Nisë të Francës kanë ndaluar mbledhjet e më shumë se 10 personave në hapësirat publike, si dhe kanë shkurtuar oraret e funksionimit të bareve, pasi vendosën kufizime të reja këtë javë për Bordonë dhe Marsejën.

Britania tha se po shqyrton mundësinë e masave të reja izoluese në mbarë vendin pasi pati pothuajse një dyfishim të rasteve më të fundit, 6 mijë në ditë, të konstatuara gjatë javës së fundit. Ministri britanik i Shëndetësisë Matt Hancock tha se një bllokim tjetër duhet të jetë mjeti i fundit, por se qeveria do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të përmbajtur virusin.

Masa të reja izoluese në Izrael

Izraeli fillon një bllokim të dytë të premten për shkak të një kërcimi të shpejtë nga rritja e numrit të rasteve të koronavirusit.

Kufizimet tre-javore vijnë pikërisht ndërsa vendi është bërë gati të fillojë festat hebraike.

Izraelitët lejohen të udhëtojnë jo më shumë se 500 metra nga shtëpitë e tyre. Përjashtim bëjnë ata që blejnë ilaçe, që kërkojnë shërbime mjekësore, “që po ndihmojnë dikë në nevojë”, duke transferuar një të mitur mes prindërve dhe duke marrë “trajtim thelbësor për kafshët”.

Dhe në Iran, një zyrtar i lartë iranian tha se vendi duhet të jetë në gjendje “të kuqe” gatishmërie pasi raportoi 3,049 raste të reja të premten, rritja më e lartë ditore që nga fillimi i qershorit.

“Klasifikimi i ngjyrave nuk ka më kuptim”, tha Zëvendës Ministri i Shëndetësisë Iraj Harirchi në një intervistë me agjensinë e lajmeve Reuters. “Ne nuk kemi më portokalli dhe të verdhë. I gjithë vendi është i kuq”.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Familjare të Indisë tha të premten se 96’424 infeksione të reja dhe më shumë se 1’000 vdekje të lidhura me COVID-in u raportuan në 24 orët e fundit.

Në Amerikën e Veriut, Kanadaja ka vendosur të zgjasë mbylljen e kufirit të saj me Shtetet e Bashkuara për udhëtime jo-thelbësore deri më 21 tetor, pasi ka parë një rritje të infeksioneve në javët e fundit. Ministri kanadez i Sigurisë Publike Bill Blair tha të premten se vendime të tilla do të vazhdojnë të bazohen në këshillat e institucioneve të shëndetit publik për të mbrojtur qytetarët. Mbyllja u njoftua për herë të parë në 18 mars dhe që nga ajo kohë është zgjatur çdo muaj.