Ballina Rajoni Bullgaria kushtëzon bisedimet për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE

Bullgaria kushtëzon bisedimet për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE

 

Bullgaria po kërkon mbështetje nga Bashkimi Evropian, që në kuadër të kornizës negociuese mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, të futet edhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë, që dy shtetet e nënshkruan në vitin 2017.

“Marrëveshja bilaterale mes Shkupit dhe Sofjes për fqinjësi të mirë duhet të jetë pjesë e kornizës negociuese për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian”, thuhet në arsyetimin e e një memorandumi të hartuar nga Bullgaria.

Në këtë dokument prej gjashtë faqesh, siç mëson Radio Evropa e Lirë, Bullgaria kërkon mbështetjen e vendeve anëtare të BE-së që “Marrëveshja për fqinjësi të mirë mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, të përfshihet në kapitullin 35 të kornizës negociuese për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian”.

Në memorandumin e Bullgarisë theksohet se “gjuha maqedonase nuk ka ekzistuar deri në 2 gusht të vitit 1944 dhe se formimi i kombit maqedonas është projekt i Beogradit gjatë periudhës mes dy luftërave botërore”.

Korniza negociuese mes Shkupit dhe Brukselit zyrtar, u prezantua në korrik të këtij viti nga Komisioni Evropian. Shkupi tha se pret që teksti final i kësaj kornize negociuese për anëtarësimin e shtetit në BE, të publikohet më së voni në tetor të këtij viti.

Ekspertët e palës maqedonase të kyçur në bisedimet mes dy vendeve fqinje theksojnë se pas disa muajve pauzë – përkatësishtnga dhjetori i vitit të kaluar, për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut – gjatë këtij muaji pritet të takohet Komisioni në nivel ekspertësh të Shkupit dhe Sofjes zyrtare, ku do të diskutohet për shumë çështje kontestuese.

“Shpresoj se së shpejti do të takohemi me kolegët bullgarë të Komisionit në nivel ekspertësh që është i angazhuar për zgjidhjen e dallimeve historik. Pra, këto ditë pritet të koordinohemi sa i përket kohës, por edhe protokolleve që duhet respektuar gjatë punës në bazë të rekomandimeve të autoriteteve për sa i përket mbrojtjes nga koronavirusi”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Petar Todorov, i cili është pjesë e Komisionit të ekspertëve, duke mos dhënë më shumë detaje rreth temave që do të diskutojnë ekspertët e të dyja vendeve.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Selim Ibrahimi, thotë për Radion Evropa e Lirë se pala bullgare, tashmë edhe zyrtarisht ia ka paraqitur Brukselin qëndrimin e vet, që nëse komisionet e të dy shteteve fqinje nuk arrijnë ndonjë marrëveshje, atëherë Bullgaria do të vendosë veto për Maqedoninë e Veriut.

Selimi thekson se tani është koha që të t’i jepet shtytje zgjidhjes së çështjeve të hapura historike mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Në këtë drejtim, nuk mendoj se Bashkimi Evropian është i interesuar për një krizë të re në Ballkan. Personalisht mendoj se Bashkimi Evropian do të arrijë të gjejë mjete për aktivizimin e diplomacisë së butë, që çështjet kontestuese mes dy vendeve (Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë) të zgjidhen dhe të mos paraqesin pengesë për hapjen e kapitujve për Maqedoninë e Veriut ose anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian në të ardhmen”, thotë Selimi.

“Shkupi duhet edhe një herë të rishikojë historinë, ashtu që figurat që Bullgaria i konteston, të shqyrtohen nga prizmi i historianëve profesionistë pa ndikime partiake”, shton ai.

Ndërkaq, kryetari i partisë opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski, në protestën e mbajtur mbrëmjen e 15 shtatorit, ka theksuar se nuk do të lejohet në asnjë mënyrë që të bëhet kompromis për Goce Dellçevin (që konsiderohet hero nga Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, e i cili ka luftuar kundër Perandorisë Osmane), pasi siç sipas tij, kjo figurë historike paraqet shtyllën kryesore të ekzistencës së popullit maqedonas.

“Dellçev është vija e kuqe e dinjitetit dhe identitetit tonë, për këtë jemi sot këtu, për shkak se Dellçevi është Maqedonia dhe shtylla e ekzistencës tonë si popull. Maqedonizmi dhe ajo çfarë jemi nuk është asgjë më pak e rëndësishme se evropianizim, maqedonizmi është mbi dhe para gjithçkaje”, ka deklaruar Mickovski.

Ndryshe, Marrëveshja për fqinjësi të mirë mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, u nënshkrua më 2 gushttë vitit 2017. Kjo marrëveshje ka për synim zgjidhjen e kontesteve mes dy vendeve fqinje, që kanë të bëjnë kontestimin e gjuhës maqedonase nga ana e Bullgarisë si dhe kontesteve rreth ngjarjeve historike deri në vitin 1944, përkatësisht prejardhjen e heroit të dy vendeve, Goce Dellçev, rolin e VMRO-së (organizata e brendshme revolucionare maqedonase) dhe Kuvendin e Ilindenit, që kishte shpallur pavarësinë e shtetit të parë maqedonas, më 2 gusht të vitit 1903. /REL