Ballina Rajoni Tensionet në Mesdheun Lindor, Brukseli në krah të Greqisë

Tensionet në Mesdheun Lindor, Brukseli në krah të Greqisë

 

Presidenti i KE viziton Athinën

Teksa Athina dhe Ankaraja po përpiqen të dialogojnë pas tërheqjes së anijes turke Oruç Reis nga Mesdheu Lindor, Bashkimi Europian demonstroi renditjen në krah të Greqisë.

Këtë e tregoi edhe vizita e kësaj të marte në Athinë e Presidentit të Këshillit Europian Charles Michel. Në takimin me Kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, funksionari i lartë europian tha se BE duhet të tregojë se u qëndron fortë vlerave dhe parimeve demokratike edhe në këtë konflikt.

Ndërsa Mitsotakis e konsideroi shpresëdhënëse tërheqjen nga misioni të anijes turke, teksa kujtoi se Ankaraja duhet të vazhdojë të shfaqë vullnetin për të ulur tensionet, për t’i hapur rrugë një dialogu real.

Në një koment për gazetën greke Kathimerini, kryediplomati i këtij vendi Nikos Dendias thotë se Turqia duhet ta lexojë drejtë ligjin ndërkombëtar për ndarjen e ujërave detare, jo sipas perceptimit individual apo mbi bazën e fuqisë që kanë vende të ndryshme.

Po për Kathimerinin foli edhe homologu i tij turk Mevlut Çavushollu, i cili thotë se kushtet sjellin kundërkushte, të cilat e pamundësojnë dialogun. Në këtë mënyrë, ai i bëri thirrje Athinës të tërhiqet nga kushtet dhe t’i hapë rrugë një dialogu të gjerë.