Ballina Bota Emiratet e Bashkuara Arabe miratojnë vaksinën për punonjësit shëndetësorë

Emiratet e Bashkuara Arabe miratojnë vaksinën për punonjësit shëndetësorë

 

Qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe tha se ka miratuar përdorimin e një vaksine kundër koronavirusit te punonjësit shëndetësorë, pas testimeve të suksesshme klinike.

Ministri i Shëndetësisë, Abdul Rahman Mohammed Al Oweis, tha se vaksina mund të përdoret në “raste emergjente”, duke përfshirë stafin shëndetësor të vendit.

Ai tha se vendimi u mor pasi faza e tretë e testimit të vaksinës nuk ka treguar efekte anësore, por ka dëshmuar se krijon antitrupa.

Ministri tha se 31,000 vullnetarë, që përfaqësonin 125 kombësi, kanë marrë pjesë në provat klinike.

Kompania Sinopharm CNG, me seli në Kinë, e ka zhvilluar vaksinën dhe ka kryer fazën e tretë të provës klinike së bashku me Qeverinë në Abu Dabi dhe firmën e inteligjencës artificiale, G42 Healthcare, me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë regjistruar mbi 80,000 raste të të infektuarve me koronavirus dhe 399 viktima.

Në gjithë botën, koronavirusi ka prekur mbi 29 milionë njerëz.

Prej tyre, mbi 925,000 kanë vdekur dhe afro 20 milionë janë shëruar.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, aktualisht në botë janë duke u testuar rreth 180 vaksina potenciale kundër koronavirusit.