Ballina Aktualitet Stoltenberg: Dialogu, mënyra e vetme për zgjidhje në Ballkanin Perëndimor

Stoltenberg: Dialogu, mënyra e vetme për zgjidhje në Ballkanin Perëndimor

 

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, mirëpriti rrethin e fundit të bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë, që u mbajt të hënën në Bruksel, duke thënë se dialogu “është mënyra e vetme për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme politike në Ballkanin Perëndimor”.

Stoltenberg i bëri këto komente në një takim me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, në selinë e NATO-s në Bruksel.

Dy zyrtarët diskutuan edhe për marrëveshjen për normalizimin ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar javën e kaluar në Uashington, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga NATO-ja.

Stoltenberg po ashtu citohet të ketë thënë se NATO-ja mbetet e përkushtuar ndaj satbilitetit në Ballkanin Perëndimor, përmes forcës paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë, e cila numëron 3,500 pjesëtarë.

“Mandati i KFOR-it mbetet i pandryshuar: të mbajë një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të vitit 1999”, tha Stoltenberg.

Hoti, në anën tjetër, tha se prania e KFOR-it në Kosovë “është e një rëndësie të veçantë për forcimin e paqes dhe të stabilitetit në këtë pjesë të Evropës Juglindore”.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra e tij për Komunikim Publik, Hoti po ashtu theksoi përkushtimin e Kosovës për ndërtimin e një të ardhmeje euroatlantike, ndërsa ftoi Stoltenbergun që të vizitojë Kosovën “sa më parë që t’i jepet rasti”.