Ballina Bota Melburn, protestuesit kundërshtojnë mbylljen e vendit nga koronavirusi

Melburn, protestuesit kundërshtojnë mbylljen e vendit nga koronavirusi

 

Policia në Australi ka arrestuar sot disa qytetarë të cilët kundërshtojnë mbylljen e vendit për shkak të COVID-19. BBC shkruan se në vend ka nisur një valë protestash dhe qytetarët kundërshtojnë masat e qeverisë kundër përhapjes së koronavirusit.

Melburni është qyteti ku shpërthimi i virusit është me përmasa të mëdha dhe sot aty qindra qytetarë marshuan dhe u shprehën se masat e qeverisë janë shumë të ashpra. Po ashtu mësohet se protesta të tjera u zhvilluan në Sidnei, Brisbane, Adelaide dhe Perth.

Nga ana tjetër, kryeministri Scott Morrison, tha të premten se shtatë nga tetë shtetet dhe territoret e vendit kishin rënë dakord të hapnin kufijtë e tyre të brendshëm deri në Dhjetor.

Ai sugjeroi gjithashtu dhe hapjen e udhëtimeve me Zelandën e Re, për të nxitur turizmin dhe të ndihmojë në ringjalljen e ekonomisë. “Në mungesë të një vaksine, mund të na duhet të jetojmë në këtë mënyrë për vite”, paralajmëroi ai.

Por edhe pas kësaj deklarate, protestuesit bënin thirrje për liri. Tubimi, edhe pse nisi vetëm me brohorima, përfundoi me përleshje dhe policia prangosi 15 persona, 14 për shkelje të rregullave dhe një për sulm ndaj oficerëve.

Nga ana tjetër, rastet e konfirmuara me koronavirus në Australi janë trefishuar në dy muajt e fundit dhe sot numërohen 26,000 persona të prekur. Po ashtu dhe vdekjet janë rritur dhe kjo ka bërë që qeveria të marrë masa kufizuese për të frenuar përhapjen e mëtejshme të COVID-19.