Ballina Bota Pelosi, Mnuchin bien dakort të shmangin mbylljen e qeverisë

Pelosi, Mnuchin bien dakort të shmangin mbylljen e qeverisë

 

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi dhe administrata Trump kanë rënë dakort jozyrtarisht për miratimin e një projektligji për financimin e përkohshëm të qeverisë amerikane, për të shmangur një mbyllje më datën 30 shtator kur përfundon viti fiskal.

Marrëveshja synon ta shmangë mundësinë e mbylljes, megjithëse vazhdojnë përplasjet për legjislacionin e lehtësimit financiar të pasojave të pandemisë COVID-19, duke anashkaluar kështu mundësinë e një tjetër drame të mbylljes së qeverisë përpara zgjedhjeve të nëntorit.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi

Ky zhvillim u bë i ditur nga ndihmësa demokratë dhe republikanë në Kongres, të cilët janë informuar për një bisedë të zhvilluar të martën mes Kryetares demokrate të Dhomës së Përfaqësuesve, Pelosi, dhe Sekretarit të Thesarit, Steven Mnuchin. Ata kërkuan të mbeten anonimë në përshkrimin e një bashkëbisedimi për të cilin ishin informuar, por në të cilin nuk kishin qenë pjesëmarrës.

“Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve janë për një rezolutë vazhdimësie të pastër”, tha zëdhënësi i zonjës Pelosi, Drew Hammil. Përkufizimi i fjalës i “pastër” tenton të ndryshojë mes personave të përfshirë në zhargonin e Kongresit, por nuk do të përjashtonte domosdoshmërisht zgjatjen rutinë të programeve si sigurimi federal për përmbytjet ose autoriteti për të shpenzuar para për programet e autostradave. Disa ligjvënës është e sigurtë se do të kërkojnë legjislacion thelbësor dhe madje edhe për çështje të lidhura me COVID-in nëse konsensusi mund të evoluojë disi.

“Ne besojmë se do të jemi në gjendje të marrim fonde për të shmangur një mbyllje të qeverisë”, tha të enjten sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany.

Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin

Nuk janë përcaktuar ende kohëzgjatja e masës së përkohshme të financimit ose aspektet jo të debatueshme që do të miratohen, thonë ndihmësit, dhe zëdhënësi i zonjës Pelosi nuk pranoi të komentojë më tej për marrëveshjen.

Qeveria përballet me afatin e datës 30 shtator për të shmangur një mbyllje si ajo e fundit të vitit fiskal 2018 dhe fillimit të vitit 2019 e shkaktuar nga këmbëngulja e Presidentit Trump për më shumë fonde për të ndërtuar murin kufitar SHBA-Meksikë. Ekziston preferenca midis disa demokratëve që legjislacioni i përkohshëm të zgjatet deri në vitin e ardhshëm, por dhjetori duket të jetë preferenca e administratës dhe një rezultat më i mundshëm.

Zhvillimi vjen ndërsa ligjvënësit mungojnë nga Uashingtoni, por po përgatiten të kthehen për një seancë të shkurtër parazgjedhore që ka të ngjarë të përfshijë përplasje për legjislacionin e lehtësimit të pasojave të pandemisë. Por shanset për një tjetër projekt-ligj shpëtimi janë dobësuar, ndërsa vera po i afrohet fundit.

Marrëveshja Mnuchin-Pelosi për parandalimin e një mbylljeje duket se synon të sigurojë që pasojat e ngërçit në frontin e ndihmës për COVID-in të mos përfshijnë një mbyllje të pjesshme me ngarkesa politike të qeverisë.

Monica Crowley, një zëdhënëse e zotit Mnuchin, tha se Departamenti i Thesarit do të refuzonte të komentonte.