Iquitos, qyteti peruan në zemër të Perusë, spikat për një gjë unike shumë të veçantë. Është i vetmi qytet në botë, që nuk mund të arrihet nga toka, nuk ka rrugë nëpërmjet të cilave mund të shkohet në të, pasi është i zhytyr në një xhungël të dendur.
Ju mund të shkoni në Iquitos vetëm me avion apo anije, duke përshkuar lumin e Amazonës.
Ndalesë historike në lundrimet e shekullit XIX
Kthehemi pas në kohë, kur ishte shumë e bukur të lundroje me anije në lumin e Amazonës. Jemi në shekullin XIX dhe udhëtarët e veshur me të bardha, zbarkonin, si stacion i fundit i udhëtimit të tyre, në qytetin elegant të Iquitos.
Iquitos shtrihet përgjatë brigjeve të lumit Amazon – mijëra kanalet e tij krijojnë një mori ngjyrash dhe formash, peizazhi ndryshon vazhdimisht, në varësi të dritës, kanalit që do të përshkoni dhe stinës.
Një natë në xhunglën më të madhe në botë
Për të krijuar një ide më të qartë se çfarë do të thotë me të vërtetë Amazonë, ju këshillojmë të qëndroni të paktën dy ditë të zhytur në xhungël. Ju mund të zgjidhni lloje të ndryshme akomodimi dhe itineraresh, ku aventura është e garantuar. Në këto pak ditë, të ndryshme nga përditshmëria, do të shihni nga afër kafshët e egra dhe larmishmërinë e bimëve që rriten në këtë mjedis kaq të shenjtë.
Iquitos është i zhytyr në një labirint të degëve të lumit të Amazonës. Gjerësia e tij do t’ju befasojë, aq sa do t’ju duket sikur po lundroni në një liqen më shumë se sa lumë. Një nga karakteristikat e këtij lumi është se këtu jetojnë delfinët e mrekullueshëm rozë, që me pak fat mund t’i shihni gjatë lundrimit tuaj.
Njohja me një fis autokton
Do të duheshin muaj për të njohur Amazonën, por nëse shkoni në këtë pikë të pyllit, ju këshillojmë të planifikoni disa ekskursione, ku përveçse do të shihni kafshët e mrekullueshme, ka shumë të ngjarë të keni fatin të hyni në kontakt me fise autoktone dhe të mësoni më shumë rreth kulturës së tyre, në harmoni me tokën mëmë.
Tregu shamanik Belèn
Amazona ruan edhe mistere të mjekësisë shamanike. Vizitojeni tregun e Belèn me një banor vendas, i cili do t’ju zbulojë një mijë të fshehta pas asaj që mund të duket një rrënjë e thjeshtë dhe ndoshta do t’ju shtyjë drejt kësaj mjekësie të lashtë dhe të shenjtë.
Një perëndim që nuk do ta harroni kurrë
Xhungla më e madhe në botë do t’ju shfaqë edhe spektakle shumë larg imagjinatës suaj. Ju këshillojmë që të bëni një lundrim me varkë në lumin e Amazonës gjatë perëndimit të diellit – do të jetë një moment që nuk do ta harroni për gjithë jetën.