Ballina Aktualitet Shqipëria në kthetrat e qeverisjeve klanore e kakistokrate të arrogantëve, inkriminuarve dhe...

Shqipëria në kthetrat e qeverisjeve klanore e kakistokrate të arrogantëve, inkriminuarve dhe injorantëve – Nga Prof. Dr. Lush SUSAJ

 

Pas vitit 1945 e deri më sot, Shqipëria nuk ka qënë asnjëherë demokratike, për shkak se është sunduar nga qeverisje klanore,  kriminale e kakistokratike. Të gjitha këto lloj qeverisjesh, pavarësisht  nga propaganda dhe dokumentacioni fiktiv dhe dezinformues që kanë lënë nëpër arkiva, kanë prodhuar diktatura dhe neodiktatura, fatkeqësi dhe varfëri të skajshme, nxirje të imazhit të Shqipërisë në botë dhe reduktim të vazhdueshme të kapaciteteve tona ekonomike, politike, diplomatike  e administrative. Në filozofi thuhet se: “Kakistocracia është sistemi i qeverisjes që drejtohet nga qytetarët më të këqinj, më së paku të kualifikuar, ose më të paskrupullt. Kushdo mund të gjykojë për pak minuta në lidhje me intelektin, moralin, sjelljen dhe cilësitë e tjera administrative e shoqërore të atyre që e kanë qeverisur Shqipërinë në këto vite e dekada të mbushura me anarki, varfëri dhe mizerje të pashëmbullt në politikë, administratë, diplomaci, ekonomi, kulturë, mjedis, shëndetësi, arsim, bujqësi e çdo fushë tjetër të jetës. Anarkia institucionale e shoqërore në Shqipëri dhe kudo tjetër, është arritur dhe mund të arrihet vetëm përmes degradimit të administratës dhe institucioneve në dorë të njerëzve pa moral, pa dije, pa shpirt e pa integritet. Në historinë politike e shtetërore të Europës dhe botës, për të parë nga afër pasojat e qeverisjeve klanore e kakistokratike në vite, nuk besoj se ka një tjetër shembull më të mirë se sa Shqipëria e këtyre 30 -viteve. Në lidhje me pasojat e qeversjeve klanore e kakistokratike në vite, të qeverisjeve pa drejtësi e pa moral, të një vendi e shoqërie, James Russell Loëell (1876), në një letër drejtuar Joel Bentonit, i shkruante: “Ajo që më mbush me dyshim dhe tronditje është degradimi i tonit moral. A është apo jo rezultat i demokracisë? A është qeveria jonë e popullit nga populli e për popullin, apo një kakistokraci, në dobi të pisave e në shpinë të budallenjve?”

Partia Demokratike ka filluar një proces kundër kakistokracisë dhe pisave

Partia Demokratike e Shqipërisë është partia më e madhe opozitare, e lindur mbi shtratin historik të idealeve, sakrificave dhe qëndresës  antikomuniste të popullit dhe të rinisë studentore të Shqipërisë.  Partia Demokratike, është pjesë e pandashme e të gjitha sukseseve dhe dështimeve të këtyre 30- viteve. Përfshirë këtu edhe përgjegjësinë që ajo ka për degradimin e shtetit në të tilla qeverisje klanore, krahinore, kakistokratike, kaotike e varfëruese. Pavarësisht nga sukseset, dështimet, etj, Partia Demokratike e Shqipërisë, vazhdon që të jetë forca më e madhe opozitare, nga e cila mund të burojnë nisma dhe qëndrime të rëndësishme reformuese për politikën, ekonominë dhe administratën. Dihet nga të gjithë fakti që Partia Demokratike, pavarësisht nga gabimet trashanike të së shkuarës, në këto 7- vite, ka bërë hapa të rëndësishëm e shumë të guximshëm në drejtim të dekriminalizimit  të politikës, të parlamentit, të ekonomisë, të institucioneve dhe të gjitha marrëdhënieve shoqërore. Rezultatet e arritura në drejtim të dekriminalizimit  të parlamentit,  të administratës së lartë shtetërore, të drejtësisë, të ekonomisë, etj, ndonëse të vogla, janë lehtësisht të verifikueshme dhe përbëjnë një bazë të mirë të përvojës dhe guximit për ta vazhduar deri në fund betejën për dekriminalizimin dhe dekomunistizimin e shtetit dhe shoqërisë. Në këtë kontekst, procesi politik më i rëndësishëm e më europianizues i këtyre  30- viteve të tranzicionit të abuzuar, padyshim që është praktika aktuale e votimit, vetting-ut  dhe zgjedhjes së kandidatëve për deputetë  dhe për në administratë. PD-ja është partia e parë politike në Shqipëri që kopjoi dhe po implementon me detaje një praktikë europiane e demokratike të debatit, të votimit dhe të vetting-ut  të kandidaturave për deputetë  dhe nëpunës të administratës. Rezultati i këtij procesi do të jetë funksionalizimi sa më i shpejtë i shtetit ligjor, përmes  stopimit të degradimit  të mëtejshëm të politikës, ekonomisë dhe institucioneve të sunduara  në vite e dekada nga injoranca, hajdutëria, kriminaliteti, padrejtësia dhe mungesa e thellë e moralit. Mashtrimet dhe dështimet e këtyre 30 -viteve, nuk duhet të na bëjnë as pesimistë dhe as mosbesues në këtë proces të mirfilltë europianizues dhe shtetformues. Kjo edhe për faktin se drejtimi i këtij procesi në mënyrë kolegjiale nga ana e pesë intelektualëve të nderuar e të njohur nga të gjithë për drejtësi, integritet dhe moral të lartë politik e shtetëror, siç janë Besnik Mustafaj, Bujar Nishani, Mark Marku, Genc Ruli, etj, e bën këtë proces  gjithpërfshirës  dhe shpresëdhënës  për çdo shqiptar. Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve të PD-së, është shembulli më i mirë i mënyrës se si mund të bëhen reformat e dobishme e të munguara  aq gjatë në Shqipëri. Kjo për faktin se ka shpresë sa herë që punët dhe ligjet adresohen tek njerëzit që e duan drejtësinë, tek njerëzit që janë të ditur, që janë të ndershëm e që kanë moral të pastër. Të tillë njerëz ka plot, ndërsa dihet fakti që në këta  30- vite,  nuk janë vlerësuar sa duhet, janë anashkaluar, por që kurrë nuk i kanë munguar shoqërisë, as partive.

Është koha për të mbështetur procesin dhe lidershipin e opozitës 

Në vitin 1990, shqiptarët u ngritën dhe kërkuan rregulla, praktika dhe sjellje politike e shtetërore europiane. Në këtë rrugë, duket që PD-ja e Shqipërisë, e bëri hapin e parë dhe më të rëndësishëm drejt europianizimit, demokratizimit, elitarizmit dhe rikthimit real të forcës hyjnore që gjeneron drejtësia, gjithpërfshirja dhe morali në politikë, në institucione dhe në administratë. Drejtësia është harmoni, është stabilitet dhe qëndrueshmëri  shoqërore e politike. Drejtësia është pamundësia e nënshtrimit  ndaj interesave të krimit dhe interesave të të fortëve që dukshëm e kanë vjedhur e tërhequr zvarrë shtetin dhe politikën e këtyre  30 -viteve në Shqipëri. Në këtë proces europianizues, ndryshe nga praktikat e mëparshme, anëtarësia e PD-së  propozon njerëzit më të nderuar, e më të besuar. E thënë ndryshe, propozohen dhe ngrihen lartë njerëzit më të ndershëm, ata që nuk janë pasuruar duke vjedhur tenderat e pasurive dhe të punëve publike. Propozohen dhe kalojnë vetting-un,  ata që nuk janë pasuruar me drogë, as me terrorizëm,  e as me trafiqe të paligjshme. Sundimi klanor e kakistokratik i këtyre viteve dhe e gjithë këneta aktuale e politikës shqiptare është realizuar duke shkelur mbi drejtësinë, mbi demokracinë, mbi praktikat e njohura europiane të votimit dhe zgjedhjes dhe mbi interesat tona shoqërore  e kombëtare. Ky proces është gjithpërfshirës, është i hapur dhe i drejtëpërdrejtë, si i tillë duhet besuar e mendoj se duhet mbështetur nga të gjithë ata që e kanë endërruar,  e që e duan Shqipërinë si Europa. Bëhët fjalë për një proces që kërkon besueshmërinë dhe kontributin e të gjithëve, larg hatërmbetjeve dhe ulje- ngritjeve të politikës fragmentare e sjelljeve obskurantiste e dekurajuese  të këtyre viteve. Është një proces nga i cili europianizohet dhe përfiton e gjithë politika dhe shoqëria shqiptare. Parë nga ky këndvështrim, mendoj se nuk sjell asnjë dobi fryma përjashtuese, as kundërshtia, as përçarja dhe as përfolja e opozitës dhe lidershipit të saj. Në këtë proces ka vend dhe nevojë për të gjithë, është koha për gjykim realist, për unitet, për mbështetje të lidershipit dhe për vendosmëri për ta reformuar politikën në shërbim të ndryshimit të duhur.

Vettingu  e stopon kriminalizimin dhe kapjen e parlamentit dhe institucioneve

Në formularin prej  36 faqesh që i është dërguar çdo kandidati, kërkohet informacion i detajuar e lehtësisht i verifikueshëm mbi arsimimin dhe mbi karrierën profesionale në vite. Në këtë mënyrë, drejt parlamentit dhe në krye të institucioneve dhe të punëve të Shqipërisë, nuk do të mund të katapultohen më injorantët,  që nuk dinë as të plotësojnë një shkresë të thjeshtë zyrtare. Në krye të zyrave dhe institucioneve nuk do të jenë më as ata që kanë blerë diplomat e shkollave të mesme në fshatrave të largëta të Shqipërisë, e më pas edhe i kanë djegur sekretaritë dhe arshivat e tyre. Në parlament, në institucione dhe në administratë, nuk do të mund depërtojnë më as pesanjosët dhe diplomat e blera të “Kristalit”, as të “Vitrinës”, as të ndonjë kolibeje tjetër ku nuk është bërë mësim asnjë ditë, e ku të diplomuarit, nuk dinë as emrin e pedagogut, as të lëndëve, as të klasave, as të shokëve të klasës, e as të ish- drejtuesëve. Më në fund, përmes këtij vettingu,  mbyllet edhe dera nepotike e familjarëve trafikantë, hajdutë, vrasës, terrorizues, etj. Në këtë mënyrë, Shqipëria nuk do të ketë më qeveritarë as deputet me vëllezër e kushërinj që kanë drejtuar, apo që drejtojnë trafiqet e drogës dhe prostitutave, etj. Në formularin e kandidatëve, si asnjëherë tjetër, kërkohet  informacion i detajuar dhe lehtësisht i verifikueshëm edhe për pronat dhe origjinën e tyre, si dhe për pozicionin  e secilit kandidat në lidhje me organet çnjerëzore të diktaturës komuniste. Në këtë mënyrë, është bërë një hap konkret dhe shumë i rëndësishëm për dekomunistizimin dhe dekriminalizimin. Më mirë vonë se kurrë, përballja me dekomunistizimin dhe dekriminalizimin real të shtetit dhe politikës, nuk mund të jetë dëshirë,  por detyrë thelbësore e opozitës dhe lidershipit të saj. Në këtë mënyrë, besoj që do të ketë gjithnjë e më pak ish- spiunë, apo ish -torturues, apo ish- funksionarë me dosje që shantazhohen, që mbyllin gojën dhe firmosin abuzimet, sapo ndonjëri thërriste: “çiftelia, kumbulla, gjilpëra, labi, maloku, etj”.

Për ta mbyllur, unë mendoj se procesi i propozimeve të kandidatëve dhe përmbajtja e rubrikave të formularit  të vetting-ut  të tyre,  janë një praktikë e njohur europiane, që do të ndikojë në europianizmin e mëtejshëm të politikës, të parlamentarizmit  dhe të institucioneve të shtetit shqiptar. Është koha për unitet dhe për bashkim, në mbështetje të europianizimit, të demokratizimit dhe të reformimin real të politikës, të parlamentit dhe institucioneve të shtetit.