Ballina Ravijëzime Trauma e turizmit dhe COVID-19

Trauma e turizmit dhe COVID-19

Bllokimet për shkak të pandemisë, anulimi i udhëtimeve dhe kufijtë e mbyllur mund t’i kenë vënë në provë të vështirë planet për pushime këtë verë. Megjithatë, rënia drastike e turizmit do të ketë ndikim të madh te vendet që mbështeten te turistët e huaj – me efekte potenciale në shkallë të gjerë te llogaritë e ekonomive të tyre.

Kosta Rika, Greqia, Maroku, Portugalia dhe Tajlanda mund të jenë ndër vendet më të goditura, me humbje në turizëm që kapërcejnë 3% të PBB, sipas 2020 External Sector Report (Raportit të Sektorit të Jashtëm 2020)  të FMN, i publikuar ditët e fundit.

Grafiku llogarit ndikimin e drejtpërdrejtë te turizmi tek importet, eksportet dhe bilancet e llogarive rrjedhëse, në një skenar që parashikon një rihapje graduale në shtator, por një rënie rreth 70 për qind të të ardhurave nga turizmi dhe të udhëtarëve në turizmin ndërkombëtar në 2020.

Bilanci i llogarisë rrjedhëse të një vendi është një masë e transaksioneve të tij totale, e cila përfshin por nuk kufizohet në tregtinë e mallrave dhe shërbimeve – me pjesën tjetër të botës. Për disa ekonomi, rënia në turizëm (që konsiderohet eksport) mund të ketë ndikim në bilancet e përgjithshme të llogarisë korente.

Në Tajlandë, për shembull, rënia në turizëm për shkak të pandemisë mund të ulë eksportet e përgjithshme të vendit me 8 pikë përqindje në PBB dhe të ketë ndikim të drejtpërdrejtë neto me rreth 6 pikë përqindje në PBB në bilancin e llogarisë së saj aktuale në vitin 2020.

Perspektivat për vendet e vogla, që varen nga turizmi, janë edhe më të zymta. Grafiku i External Sector Report i FMN-së, përqendrohet tek ekonomitë e mesme të mëdha, por në të njëjtin skenar, disa shtete më të vogla, që varen në mënyrë të veçantë nga turizmi, mund të shohin një ndikim të drejtpërdrejtë më të madh në bilancet e tyre tregtare dhe llogarive rrjedhëse.

Nuk dihet ende shumë mbi ritmin e rimëkëmbjes së turizmit në vitin 2020. Dëshira dhe aftësia e njerëzve për të udhëtuar jashtë mund të vijojë të përballet me erëra të forta në 2021 për shkak të pandemisë, duke e lënë një perspektivë të paqartë për industrinë e turizmit në ekonomitë e mëdha dhe të vogla.

Burimi: World Economic Forum & FMN Blog