Ballina Rajoni BE nuk i komenton rezultatet e zgjedhjeve në Mal të Zi

BE nuk i komenton rezultatet e zgjedhjeve në Mal të Zi

 

Bashkimi Evropian beson se Mali i Zi do të vazhdojë rrugën e integrimeve evropiane, që gëzon mbështetjen e qytetarëve, por në këtë moment nuk dëshiron t’i komentojë rezultatet e zgjedhjeve të zhvilluara të dielën.

Zëdhënësi i Komisionit Evropain për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, tha se Bashkimi Evropian do të dalë me qëndrimin e tij rreth zgjedhjeve pasi të publikohet raporti i vëzhguesve nga Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut (ODIHR).

Ai tha se është praktikë e institucioneve të BE-së që mos t’i komentojnë zgjedhjet derisa ODHIR-i të mos përpilojë raportin për procesin zgjedhor.

“Mali i Zi është një partner i rëndësishëm në procesin e zgjerimit. Ne e kemi ndjekur procesin e tërë zgjedhor dhe pozicionin tonë do ta bazojmë në raportin e ODHIR-it”, tha Stano.

Zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi u zhvilluan më 30 gusht, me një pjesëmarrje prej më shumë se 75% të qytetarëve.

Sipas rezultateve paraprake, shanset për të fituar pushtetin i kanë partitë opozitare që i lidh nacionalizmi serb dhe orientimi pro-rus.

Mali i Zi, për momentin, është shteti më i avancuar i rajonit të Ballkanit Perëndimor në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ka pasur shqetësime se, në rast të ndryshimeve të brendshme në Mal të Zi, mund të ketë rrezikim të rrugës evropiane të këtij shteti, i cili tashmë është bërë edhe anëtar i NATO-s.