Ballina Bota Spanja kërkon ndihmën e ushtrisë për të luftuar koronavirusin

Spanja kërkon ndihmën e ushtrisë për të luftuar koronavirusin

 

Spanja tha se do të kërkojë ndihmën e ushtrisë për të luftuar rritjen e numrit të rasteve me koronavirus.

Kryeministri Pedro Sanchez tha se qeveritë rajonale do të ndihmohen nga rreth 2,000 ushtarë.

Ai tha se evolucioni i epidemisë në Spanjë është “shqetësues”, por shtoi se është ende larg nga situata e mesit të marsit, kur ky vend u fut në një nga izolimet më të rrepta në Evropë.

Ne nuk mund të lejojmë që pandemia të fillojë përsëri ta kontrollojë jetën tonë”, tha Sanchez në një konferencë për media.

“Ne duhet ta marrim kontrollin, që ta thyejmë këtë kurbë të dytë. Frika nuk duhet të na paralizojë dhe të na pengojë”, shtoi ai.

Spanja është një nga vendet më të prekura në Evropë nga koronavirusi.

Përkundër përdorimit të detyrueshëm të maskave në të gjithë vendin, të dhënat e Bashkimit Evropian tregojnë se Spanja ka numrin më të madh të rasteve në Evropën Perëndimore, si dhe normën më të lartë në 100,000 njerëz në 14 ditët e fundit.

Spanja ka regjistruar gjithsej mbi 405,000 raste dhe mbi 28,800 viktima. Në gjithë botën, numri i të prekurve me koronavirus ka kaluar 23.6 milionë. Prej tyre, mbi 814,000 kanë vdekur dhe mbi 15.3 milionë janë shëruar. /REL