Ballina Rajoni Kryeministri grek: Do të zgjerohemi me 12 milje në detin Jon

Kryeministri grek: Do të zgjerohemi me 12 milje në detin Jon

 

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka deklaruar në parlament gjatë ditës së sotme që qeveria po përgatit një projekt-ligj që do të zgjerojë territoret ujore të Greqisë me 12 milje në detin Jon. Mitsotakis u shpreh se shteti helen po ushtron të drejtën e saj në përputhje me Ligjin e Deteve.

“Me një draft që do të fusim në parlament, Greqia do të zgjerojë territoret e saj në Perëndim nga 6 deri në 12 milje. Greqia po zmadhohet. Të tjerët e kanë thanë, por në po e vëmë në praktikë”, u shpreh Mitsotakis, i cili shtoi se për zgjerimin e detit po përdoret edhe rregulli i linjës së mesme.

“Ministri i Jashtëm ka informuar palën shqiptare dhe italiane”, tha Mitsotakis.

Kjo lëvizje e qeverisë greke vjen pas arritjes së marrëveshjes me Italinë dhe Egjiptin për Zonat Ekonomike Ekskluzive. Dakordësia me shtetin arab, në fakt e ka futur në probleme me Turqinë, e cila pretendon se e njëjta zonë i përket asaj.

Ditën e djeshme, ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, ka zhvilluar bisedë telefonike me kryeministrin Rama dhe homologun italian, Luigi Di Maio.

Sipas publikimit të tij në Twitter, ministri Dendias thekson se mes tij dhe zotit Rama ka folur për marrëdhëniet dypalëshe, por edhe lidhur me situatën në rajon ku aktualisht dominon tensioni me Ankaranë.