Ballina Rajoni Erdogan: Mesdheun Lindor e kemi “vatanin blu”

Erdogan: Mesdheun Lindor e kemi “vatanin blu”

 

“Atdheu blu”, kështu e konsideron Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, Mesdheun Lindor, aty ku anija turke sondë Oruç Reis po kryen shpime në kërkim për gaz këto ditë.

Gjatë një fjalimi në parkun industrial në Ankara, Erdogan e bëri të qartë se nuk do të tërhiqet nga projektet për kërkimin e gazit në nëntokën e Mesdheut Lindor.

“Turqia është e vendosur të kërkojë të drejtën e saj në Mesdheun Lindor deri në fund. Asnjë fuqi koloniale, asnjë kërcënim tjetër nuk mund të privojë vendin tonë nga resurset e naftës dhe gazit natyror që thuhet se ekzistojnë në rajon”.

Duke nënkuptuar thirrjet e Greqisë dhe Bashkimit Europian për ndalimin e aktivitetit në Mesdheun Lindor, Erdogan tha se Turqia do ta refuzojë atë që e konsideroi Traktat të ri të Sevrës, siç e refuzoi 100 vjet më parë në përfundim të Luftës së Parë Botërore kur Fuqitë e Mëdha planifikuan ndarjen e territorit turk në zona nën administrimin e tyre.

Erdogan tha se mbrojtja e të drejtës territoriale të Turqisë në Mesdheun Lindor lidhet me pavarësinë nga vendi nga energjia e huaj dhe me të ardhmen e kombit turk.

Duke cituar burime pranë qeverisë turke, mediat ndërkombëtare thonë se Turqia është pranë zbulimit të gazit edhe në ujërat e Detit të Zi.