Ballina Rajoni Erdogan: Turqia nuk ndalet përballë sanksioneve të BE-së

Erdogan: Turqia nuk ndalet përballë sanksioneve të BE-së

 

Presidenti turk Recep Taip Erdogan paralajmëroi se vendi i tij nuk do të ndalet përpara kërcënimeve për sanksione nga Bashkimi Europian, për çështjet e kërkimeve për gaz në Mesdheun Lindor. Duke folur në një takim të partisë së tij në qytetin verilindor i Rizes, Erdogan akuzoi Greqinë për banditizëm pasi sipas tij, Greqia kërkon të grabisë shelfin kontinental të Turqisë.

Erdogan e bëri të qartë se anija sondë Oruç Reis nuk do ta ndalë aktivitetin e kërkimit të gazit në zonat e diskutueshme ekskluzive ekonomike, ndërsa forcat turke do të godasin këdo që përpiqet ta pengojë. Megjithatë Erdogan tha se lufta është opsioni i fundit, ndërsa kërkoi dialog për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje.

Të premten, ministrat e Jashtëm të BE-së, të mbledhur me urgjencë në një videokonferencë me kërkesë të kryediplomatit grek Nikos Dendias nuk përjashtuan mundësinë e sanksioneve ndaj Turqisë. Brukseli i konsideron të rrezikshme tensionet mes Greqisë dhe Turqisë.

Sipas gazetës greke Kathimerini, pala gjermane është shprehur kritike edhe me Greqinë, pasi sipas saj Athina nënshkroi marrëveshjen për ujërat territoriale me Egjiptin në një moment delikat, kur Turqia e kishte pezulluar aktivitetin në Mesdheun Lindor në përpjekje për arritjen e dialogut dhe ky veprim e tensionoi sërish situatën.