Ballina Bota Britania në recesion, ekonomia në pikën më të ulët që nga viti...

Britania në recesion, ekonomia në pikën më të ulët që nga viti 1955

 

Britanikët zyrtarisht po përballen me recesion për herë të parë në 11 vite për shkak të pandemisë së koronavirusit. Ekonomia e vendit është tkurrur me një rekord mbi 20 për qind në periudhën prill-qershor, kur masat e izolimit nga infeksioni qenë më të ashprat.

Mbretëria e Bashkuar ka regjistruar recesionin më të thellë në më shumë se një gjysmë shekulli dhe të parën tkurrje serioze ekonomike që pas krizës financiare në vitin 2009.

Zyra e Statistikave në Londër njoftoi të mërkurën se prodhimi i brendshëm bruto që mat mirëqenien e ekonomisë u ul me 20,4 për qind në tremujorin e dytë krahasuar me pararendësin.

Pas rënies me 2,2 për qind në tre muajt e parë të vitit, ekonomia britanike vlerësohet ndër më të goditurat nga pandemia e koronavirusit sesa çdo shtet tjetër i industrializuar i G7-ës, dyfishin e SHBA-së me -10,6 për qind në po atë periudhë dhe më shumë sesa Franca, Gjermania apo Italia.

Performanca lidhet me vendimin e qeverisë dhe kryeministrit Boris Xhonson për të aplikuar kufizim gati total të veprimtarive ekonomike në muajin mars për të kontrolluar shpërthimin e infeksionit të kovidit të ri.

“Sigurisht, ajo që duam të shohim është rikthimin e vitalitetit dhe shëndetit ekonomik, dhe pa dyshim disa sektorë po tregojnë i rikuperojnë më mirë dëmet. Në muajt që vijnë na presin situata të vështira dhe na mbetet shumë për të bërë.”

Lehtësimi i masave të karantinës popullore dhe rihapja e dyqaneve e fabrikave e ndihmoi GDP-në britanike të zgjerohet me 8,7 për qind në muajin qershor.

Sektorët e shërbimeve, ndërtimit dhe prodhimit raportuan rëniet më të forta në baza tremujore, hoteleria, restorantet dhe financat -19,9 për qind, ndërtuesit -35 për qind dhe manifaktura, minierat dhe fusha e energjetikës, -16,9 për qind.

Sipas statistikanëve të vendit, pandemia në vetëm dy tremujorë zhbëri 17 vite rritjeje ekonomike duke e kthyer prodhimin kombëtar të Britanisë në qershorin e 2003-it.

E ardhmja paraqitet më optimiste për shkak se shumica e kufizimeve antikovid janë hequr, por në kushtet kur aktiviteti ekonomik nuk funksionon normalisht, pritet që papunësia të vijojë të rritet.

Mes muajve mars dhe korrik, 730 mijë anglezë u çregjistruan nga lista e të punësuarve ndërkohë që financat e ulëta përgjysmuan vendet e lira të raportuara nga bizneset vendëse.

Në skenarin më të mirë të qeverisë, papunësia në Britani pritet të prekë nivelet e parakrizës pandemike vetëm në 2022-in.

Ndërkaq, koronavirusi vazhdon ta rëndojë bilancin e vet me mbi 46 mijë anglezë të rënë viktima të sëmundjes dhe mbi 300 mijë prej tyre të konfirmuar si bartës të saj.